Gra dhe fëmijë kosovarë i nënshtrohen prostitucionit të detyruar, martesave shfrytëzuese dhe punës së detyruar në të gjithë Evropën, shkruan Departamenti amerikan i Shtetit në Raportin për Trafikimin e Personave për vitin 2012.

Për Kosovën, raporti thekson se shumica e viktimave të trafikimit seksual të shfrytëzuara në vend, janë qytetare femra të Kosovës.

Fëmijë nga Kosova dhe vendet fqinje shfrytëzohen për lypje të detyruar brenda territorit të Kosovës. Pjesa më e madhe e viktimave të huaja të prostitucionit të detyruar, thuhet se janë gra të reja nga Evropa Lindore, duke përfshirë Moldavinë, Shqipërinë, Poloninë dhe Serbinë.

Më tej, raporti citon policinë e vendase se trafikantët shfrytëzojnë më rrallë viktimat e prostitucionit në bare dhe kafene, duke u mbështetur kryesisht tek banesat private.

“Qeveria e Kosovës nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, megjithatë, ajo po bën përpjekje domethënëse për ta arritur këtë”, vlerëson raporti.

Qeveria ka vazhduar zbatimin e proçedurave operative standarde të saj të përqendruara tek viktimat, si dhe standardet minimale për kujdesin e viktimave të trafikimit.

Por, raporti i DASH i referohet organizatave ndërkombëtare duke thënë se, është vërejtur se gjyqësori dhe prokurorët mbeten jo plotësisht të aftë për të ndjekur penalisht rastet e trafikimit.

Pavarësisht njoftimeve për raste bashkëpunimi në trafikim nga ana e punonjësve të qeverisë, asnjë zyrtar qeveritar nuk është dënuar për bashkëpunim.

Raporti për trafikimin rendit edhe disa rekomandime për Kosovën. Nga Kosova kërkohet që vendi të bëjë përpjekje të fuqishme për të ndjekur penalisht, fajësuar dhe dënuar autorët e trafikimit për qëllime seksuale dhe për punë, duke përfshirë zyrtarët e përfshirë në trafikim.

Të rrisë trajnimin specifik të prokurorëve dhe gjyqësorit, të sigurojë që mbrojtja e punës sociale për viktimat e trafikimit të jetë plotësisht e financuar; duke kërkuar gjithashtu që Kosova të zbatojë Planin Strategjik dhe të Veprimit Kombëtar kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore për vitet 2011-2014, të shtojë hetimet e veprave penale të punës së detyruar, si dhe të rrisë rastet e zbulimit dhe të mbrojtjes së viktimave të lypjes së detyruar në Kosovë.

Raporti thotë gjithashtu se Kosova duhet të vazhdojë vlerësimin e programeve të trafikimit për të siguruar efikasitetin e tyre; të sigurojë që emigrantët pa dokumente të jenë shqyrtuar për të parë nëse janë viktima të trafikimit para se të dërgohen në vendet e tyre; të përmirësojë proçedurat e kthimit për t’u lejuar viktimave të trafikimit, të kenë mundësi të përdorin këto proçedura kthimi; të ndajë të dhënat e autoriteteve ligjore për anti-trafikimin seksual nga ai i punës, si dhe të vazhdojë fushatat për ndërgjegjësimin e publikut, duke përfshirë edhe fushata rreth rreziqeve të lypjes. Raporti bën vlerësimin e përpjekjeve të qeverive kudo në botë për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore.

Top Channel