ARTAN SHKRELI – Padyshim që Rruga e Elbasanit, qysh se
Tirana formoi trajtat e para urbane të saj, ka qenë pjesa më e bukur e
qytetit.
Me urat e gurta shekullore që shkapërcenin Lanën nazike dhe linin pas
muret kërcënuese të Kalasë bargjinase, me siluetat e shenjta “të selvive
të Manasgjasë”, me peizazhin delikat kodrinor që zinte fill mu aty ku
bashkohej Prroj i Verbët me Prrojn e Azizës – ku një gjelbërim i bukur e
çlodhës paraprinte gjelbërimin e asaj ane të parkut të liqenit sot –
për të vijuar mandej me teplën e Kopilit, pak para se rruga të çonte te
Teqja e Gropës, në afërsi të vendit ku tani ndodhet godina mastodontike e
TEG-ut, me të gjitha këto elemente pra, peizazhi natyror e urban i asaj
ane ishte unik për krejt Tiranën.
Që kjo bukuri mbresëlënëse e Rrugës së Elbasanit që i pat yshtur Toptanasit arrogantë që të ngrehnin pikërisht aty, në prag të qytetit ekzistues, një palë shtëpi të reja. Ca më tutje, tek ai vend i bekuar, por nga ana tjetër e rrugës, arkitekti kolonjar Qemal Butka projektoi varrezën mbretërore, iniciuar me mauzoleun e vogël elegant të Nanës Mbretneshë. E po ashtu mbreti Zog i gjykoi të përshtatshme lartësitë e para të Rrugës së Elbasanit, për të realizuar pallatin e tij mbretëror nën projektin dhe drejtimin e inxhinierit italian Giulio Berte. Bukuria ekzistuese e atij trualli u rikualifikua nga Gherardo Bosio disa vjet më vonë, i cili jo vetëm rimodeloi pallatin mbretëror, por në bashkëpunim me Pietro Porcinain, projektuesin e parqeve që pas luftës do të merrte famë botërore, krijuan kopshtet historiko-monumentale të Pallatit Perandorak të Tiranës, të cilat ballafaqoheshin me Rrugën e Elbasanit. E tërë zona u konsiderua si rezervat mjedisor i cilësisë së parë për Tiranën. Plani i famshëm rregullues i 1941-shit, redaktuar përfundimisht më 1943-shin, vlerësoi se vilat luksoze të Luogotenencës, ku do të banonin zyrtarët e rangut elitar, duhej të ndërtoheshin në kodrat ndanë Rrugës së Elbasanit, aty ku ajri ishte më i mirë, për shkak të rrymave të pastra që zbrisnin prej lartësive të Qafë-Kërrabës. Madje rruga drejt kësaj qafe – në fakt historike, si degë e udhës Egnatia – u konsiderua turistike dhe u mboll në të dyja anët me pisha të buta dhe selvi (në mënyrë të alternuar). E nga ky kualifikim nuk mbeti pa përfituar as fshati i Petrelës përmbi rrugë, i cili u pajis asokohe me një plan rregullues mbresëlënës. Ende sot mund të vërehen gjurmët e realizimeve të bëra në bazë të atij plani.
Jo rastësisht në këtë parajsë klimaterike, gjatë viteve të socializmit, u ndërtua godina e sanatoriumit, zgjidhur mjeshtërisht mbi bazë kriteresh të përditësuara të arkitekturës moderne, nga arkitekti Skënder Luarasi. E pos kësaj, shembullin e Ahmed Zogollit ndoqi edhe Enver Hoxha, kur pranoi të ndërtohej aty, pranë mauzoleut monarkik, varreza e dëshmorëve të atdheut dhe, për rastësi simbolike ose jo, zëvendësoi Nanën Mbretneshë me Nënën Shqipëri. E gjithë zona pësoi një transformim edhe më të madh me gjelbërimet masive të ndërmarra nga ndërmarrjet komunale të kryeqytetit, të cilat për dhjetëvjeçarë me radhë shfrytëzuan pamëshirshëm punën e qindra grave e vajzave qytetare që punuan si bujkesha pa pasur alternativa zgjedhjeje, duke krijuar të ashtuquajturën “kurorë e Tiranës”. Sikurse udhëzonin kriteret e urbanistikës racionale, qyteti kish tani parkun periferik të tij dhe një projekt ndërkombëtar i fundit të viteve ‘50, mbi të cilin punoi më pas edhe arkitekti Maks Velo, u zbatua me besnikëri relative për vite të tëra.
Ideologjia, e cila trysnonte më tepër se këdo brezin e ri universitar, përcaktoi ngritjen dhe zhvillimin në atë krah të Tiranës, të Qytetit Studenti, ku mijëra kuadro të lartë kaluan vitet e tyre më të bukura mes atij gjelbërimi masiv dhe ajri të pastër.
E kështu pra, hyrja më romantike për në qytetin e Tiranës bëhej pikërisht përmes Rrugës së Elbasanit, nën kurorat e pemëve, të cilat deri para një jave bënin tunel të mirëfilltë mbi rrugën automobilistike. Këto ishin arsye të mjaftueshme që trakti i rrugës nga Fakulteti i Histori-Filologjisë e deri te rrethrrotullimi i vogël i sanatoriumit të kishte një mbrojtje të trefishtë:
– Në tërësi, si zonë e gjelbër e parkut të madh të liqenit
– Majtas si brez i mbrojtur i kopshteve historiko-mjedisore të Pallatit të Brigadave
– Djathtas si brez i mbrojtur i hapësirës së varrezave të dëshmorëve të kombit
Nëse dy brezat e mësipërm (ai i Pallatit të Brigadave dhe varrezave të dëshmorëve) ishin të ruajtura edhe nga një rrethim – monumental i pari dhe dekorativ i dyti), zona në tërësi që ballafaqohej me Rrugën e Elbasanit, u rrethua nga administratë pararendëse e bashkisë me një mur të fortë betoni që besohej se do të ishte i pakapërcyeshëm nga zullumqarët e mveshur ose jo me pushtet. Në një vend tjetër, ky mur do të kish ngjallur reagime negative të pashembullta, pasi shembja e mureve (të paktën që me shembjen e atij të Berlinit) simbolizonte dhe shembjen e tiranive, por këtu te ne, mungesa e besimit te ligji, te ligjvënësit dhe ligjzbatuesit ish bjerrë aq keq sa shumëkush u gëzua për ngritjen e një pengese të tillë “të pakapërcyeshme” nga abuzuesit.
Sot, muri po shkallmohet, pemët po priten, zonat e gjelbra po dhunohen, sipërfaqja e parkut po komprometohet ndjeshëm dhe zonës monumentale të Pallatit të Brigadave po i kërcënohet e ardhmja, ende më keq se kur pushtetin e pat marrë më 1944-n “partizani Meke”. Tirana po i thotë lamtumirën e fundit njërës prej zonave ende të pakomprometuara rëndë që i ka mbetur. Rruga me shumë korsi (!?) duket se nuk është tjetër përveçse një justifikim ogurzi për ndërtimet eventuale që janë projektuar tashmë për t’u ngritur nga biznesmenë të njohur e të panjohur, nga përfaqësi vendesh “mike”, nga organizma publike e private, administrative e hotelerike dhe nga sekserë të paautorizuar, të cilët prej më se dy javësh kanë filluar të bëjnë transaksionet shumëmilionëshe të trojeve që ai mur “i mallkuar” kish ndryrë larg babëzisë. E gjithë kjo ndyrësi po në errësirë të plotë informative, jashtë çdo vëmendjeje institucionale dhe në kundërshtim me të paktën një duzinë ligjesh të porsamiratuara.
Ky mysybet po ndodh sot, para syve tona, pikërisht ndërsa TV-të japin premtime për një Tiranë të gjelbër e të qytetarëve; dhe është po i njëjti avaz barbar që u luajt edhe pardje kur një sharlatan i lodhur barez lëvdonte iniciativat e z. Basha për mbrojtjen e trashëgimisë italiane në Tiranë në simpoziumin e organizuar nga Instituti Italian i Kulturës.
Top Channel