Në Krushë të Vogël të Prizrenit nuk e harrojnë kurrë tmerrin e madh të ditëve të para të pranverës.
Më 26 mars, forcat serbe të prira nga më shumë se 50 serbë të Krushës së Vogël, mblodhën meshkujt e fshatit dhe i ndanë nga familjarët e tyre.
Bajram Zylfiu, 58 vjeçar, është njëri nga 6 dëshmitarët që shpëtuan gjallë nga kjo masakër. Jo larg shtëpisë së tij janë gërmadhat e një shtëpie ku u vranë brenda 103 bashkëfshatarë të tij.
“Durat e lidhura i kemi pasur. Kemi ardhur rrugës poshtë dhe kur kemi ardhur këtu, na kanë futur në këtë shtëpinë. Kemi qënë 109 veta. Prej 109 kemi shpëtuar vetëm 6 veta. Së pari na kanë pushkatua me mitralozë të rëndë. Pastaj na qitën një lëngë që filloj me na kale. Serbët e fshatit e bënë këtë”, kujton Bajram Zylfiu, Dëshmitar në Krushë të Vogël.
Pas kësaj, Bajrami rrëfen se së bashku me disa të tjerë arritën të dalin dhe të largohen me shumë vështirësi.
Fatime Shehu tregon momentet e fundit kur djalin e motrës së saj, vetëm 13 vjeçar, serbët e morën për ta vrarë.
“Unë djalin e motrës e kam pasur 13 vjet. Më tha, teze po më thonë mua të shkoj. I thashë nuk të bëjnë gjë. Kush e dinte që do bënin ashtu. Shkoj ai duke qarë. Me i vogli në fshat ishte djali i motrës timë”, tha Fatime Shehu, banore e Krushës së Vogël, Rahovec.
Vetëm një ditë para 26 marsit të ’99-ës serbët kishin vrarë edhe 9 banorë të këtij fshati, ndërsa pas luftës një fëmijë 12 vjeçar gjeti vdekjen si pasojë e minave të vendosura në fshat nga serbët, duke e çuar në 113 numrin e viktimave.
Para disa ditësh misioni i Bashkimit Europian në Kosovë, EULEX, ka filluar hetimet për më shumë se 56 serbë të këtij fshati që mendohet se ndodhen në Serbi. Prokuroria e EULEX-it ka identifikuar 56 të pandehur të mundshëm që mund të përballen me akuza për krime lufte ndaj popullatës civile, duke përfshirë edhe vrasjen e 113 fshatarëve, dëbimin e të gjitha grave dhe fëmijëve nga fshati.
Agron Limani nga ky fshat, prej kohësh ka formuar shoqatën e tij “26 marsi” me të vetmin qëllim që të mbledh faktet për këto krime.
Ai thotë se faktet i kishte dorëzuar tek UNMIK-u por nuk ka pasur deri më tani vullnet politik që të trajtojnë këtë çështje. Banorët e Krushës së Vogël i kanë kërkuar EULEX-it që proceset gjyqësore të mbahen në Kosovë dhe për këtë kanë marrë premtim.
“I kemi paralajmëruar për faktin se meqë viktimat civile janë nga Kosova, vendi i krimit është Kosovë, dhe autorët e krimit kryesisht janë nga Kosova, ne kemi kërkuar që proceset gjyqësore në të ardhmen të zhvillohen në Kosovë. Ata kanë premtuar ashtu që proceset tani e tutje do të zhvillohen në Kosovë. Për ne mbetet të shohim se a do t’i përmbahen këtij premtimi”, tha. Agron Limani, Shoqata “26 marsi 1999”, Krushë e Vogël.
Top Channel