Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi vlerësoi se ngritja e zyrës administrative në pjesën veriore të Mitrovicës do të shërbejë në integrimin e qytetarëve serbë të asaj pjese të Kosovës në përputhje me të drejtat dhe detyrimet që përcaktohen nga ligjet e shtetit të Kosovës dhe pakoja Ahtisari.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Krasniqi tha se ngritja e zyrës është konkretizim i përpjekjeve të njëpasnjëshme të qeverisë së Kosovës për të shtrirë autoritetin e saj edhe në këtë zonë dhe ftoi të gjithë qytetarët serbë të ndjekin rrugën e bashkëkombasve të tyre në pjesët e tjera të Kosovës duke u integruar në institucionet e Prishtinës.

“Zyra kë qenë e planifikuar më herët në kuadër të pakos Ahtisari ku parashikohet që edhe pjesa veriore të ketë një komunë në shërbim të qytetarëve. Përpjekjet për komunën nuk kanë rezultuar të suksesshme. Por tani ne kemi zyrtaren që do të merret me përgatitjen e administratës në shërbim të qytetarëve në atë pjesë të Kosovës. Shpresojmë që serbët e asaj pjese të ndjekin shembullin e komunave të tjera serbe në pjesën tjetër të Kosovës që janë integruar. Qëllimi është të vendoset një komunikim i drejtpërdrejtë me qytetarët serbë të cilët duhet të shfrytëzojnë të drejtat që burojnë nga dokumenti Ahtisari”, tha zoti Krasniqi.

Më tej, kryeparlamentar kosovar u ndal tek dialogu Prishtinë-Beograd dhe për mundësitë që ekzistojnë për vazhdimin e tij në kohën kur në Serbi u zgjodh president Tomisllav Nikoliç, nga qarqet radikale të politikës serbe.

“Dialogu Prishtinë-Beograd për cështje teknike ka përfunduar. Tani është koha që qeveria e Kosovës të dialogojë me banorët serbë të asaj pjesë të Kosovës. Vlerësojmë rolin e BE-së dhe SHBA-së me bisedimet me Beogradin. Jemi të bindur që janë arritur disa marrëveshje që Serbia duhet t’i zbatojë ato dhe këtë duhet ta kërkojë edhe Brukseli si mbikqyrës i këtyre marrëveshjeve të arritura. Është herët të flasim për bashkëpunim pas zgjedhjes së Nikoliç. Ai vjen nga grupet radikale të politikës serbe, por në deklaratat e fundit thotë se njeh marrëveshjet e arritura Kosovë-Serbi dhe se do vazhdojë rrugën e integrimit europian për Serbinë. Ne kjo na intereson, një Serbi europiane për të mirën e të gjithëve. ”, deklaroi Krasniqi.

Sa për vdekjen e kreut të Agjencisë së Privatizimeve, Dino Asanaj, zoti Jakup Krasniqi tha se hetimet janë në fazën fillestare të tyre dhe se mbetet në dorë të autoriteteve të drejtësisë të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për një vetëvrasje apo për vrasje.

Top Channel