Andonis Samaras është kryeministri i ri i Greqisë. Pas tre ditë negociata, lideri i konservatorëve fitimtarë në zgjedhjet e së dielës, ka rënë dakord mesditën e së mërkurës me kryesocialistin Evangelos Venizellos dhe kreun e së Majtës Demokratike, Fotis Kuvelis, për krijimin e një qeverie të shpëtimit kombëtar, për programin e saj dhe personalitetet politike që do ta përbëjnë.

Më pas ai është drejtuar tek Presidenca greke, ku dhe është betuar para kreut të shtetit Karolos Papulias dhe kryepeshkopit Jeronimos. Në vazhdim ai ka ngjitur shkallët e Kryeministrisë dhe ka marrë në dorëzim postin e tij nga kryeministri i qeverise teknike Panagiotius Pikramensos.

“Me ndihmën e Zotit do të bëjmë çfarë kalon nga dora jonë në mënyrë që populli ynë të dalë nga kriza. Do të kërkoj nga ministrat e mi punë dhe vetëm punë”, ka deklaruar Samaras.

Ndërkohë, si pikë e rëndësishme e zhvillimeve politike në shtetin helen veçohet takimi i tre udhëheqësve të partive të koalicionit me ministrin e Financave Jorgos Zanias, që do të përfaqësojë Greqinë në samitin e Eurogrupit.

Ndërsa sipas mediave greke, rolin e tij do ta marrë menjëherë pas betimit të qeverisë së re, Vasilis Rapanos, ish-guvernator i Bankës Greke.

Orët e fundit qarkullojnë edhe emrat që do të përbëjnë kabinetin qeveritar, I cili do të betohet mesditën e së enjtes, me emra të shquar të politikës greke në ministritë kyçe të Mbrojtjes, të Jashtme dhe të Rendit.

Samaras, si kryeministër i një qeverie koalicioni me socialistët dhe të Majtën Demokratike, ka premtuar se do të vazhdojë reformat, do të ndihmojë biznesin dhe do të ringjallë ekonominë.

Në krye të axhendës së tij ai ka vendosur ruajtjen e vendeve ekzistuese të punës dhe rritjen e investimeve të huaja për të luftuar papunësinë.

Sipas tij, qëllimi i qeverisë që ai do drejtojë është të mos luftojë me partnerët europianë, por të negociojë me kreditorët e Greqisë, në mënyrë që vendi të ruajë pozicionin e tij si një anëtar i përgjegjshëm i eurozonës.

Me interes priten politikat për emigracionin, pasi konservatorët janë shprehur se do të luftojnë emigracionin ilegal dhe do të ndryshojnë ligjin e nënshtetësisë për të huajt.

Uljet dhe ngritjet në politikë. Shok dhome me Papandreun

Lideri 61-vjeçar i Demokracisë së Re është që prej pasdites së të mërkurës kryeministri i 13-të në historinë e Greqisë, pas rënies së diktaturës në vitin 1974.

Pinjoll i një familjeje të pasur, ai ka lindur në Athinë më 23 maj të 1951-shit. Është i martuar me Gjeorgjia Kritiku dhe është baba i një vajze 18-vjeçare dhe i një djali 11 vjeç.

Samaras ka studiuar për finance në Amherst College, ku ka ndarë dhomën me kundërshtarin e mëvonshëm te tij, Jorgos Papandreu dhe më pas menaxhim biznesi në univesitetin e Harvardit.

Ai është zgjedhur deputet që prej vitit 1977 e deri në 1993-shin në Mesini të gadishullit të Peloponezit me Demokracinë e Re.

Në vitin 1989 emërohet ministër i Financave e më pas, deri në 1992, ministër i Jashtëm i Greqisë në qeverinë Mitsotaki, duke u bërë më vonë dhe shkaku i rënies së saj.

Samaras jep dorëheqjen sepse nuk pranon që shteti i sapokrijuar i Maqedonisë të kishte atë emër, largohet nga konservatorët dhe formon partinë Pranvera Politike duke qëndruar në krye të saj deri në vitin 2004, kur zgjidhet eurodeputet përsëri me të djathtën konservatore.

Pesë vjet më vonë emërohet ministër i Kulturës. Pasi në fuqi vijnë socialistët dhe Karamanlis jep dorëheqjen, në nëntor të 2009-ës, ai mund në zgjedhjet partiake vajzën e zotit Mitsotakis, Dora Bakojiannis dhe fiton kryesinë e konservatorëve deri në ditët e sotme.

Samaras është zotërues i mirë i anglishtes, frëngjishtes dhe spanjishtes. Kritikët preferojnë ta shohin atë si një oportunist ambicioz.

Mediat gjermane dhe ato angleze janë shprehur për të se është një udhëheqës i papajtueshëm me çfarëdolloj ideje dhe se vendos ambiciet e tij personale para interesave kombëtare.

Ishte i njohur pozicioni i tij dhe i konservatorëve në maj të 2010-ës kundër marrëveshjes së huase, duke mos mbështetur në fillim qeverinë socialiste të Papandreut, me qëllim që të fitonte simpatinë e grekëve.

Ndërsa tani ai është bërë mbështetësi më i flaktë i reformave të dhimbshme, duke pranuar çdo lloj direktive të Berlinit dhe Brukselit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA