Franca: Të shtrëngohen sanksionet ndaj Iranit

20/06/2012 15:25

Sanksionet ndaj Iranit duhet të jenë më të ashpra, përsa kohë Teherani nuk do të përfshihet në negociata serioze në lidhje me programin e tij të debatueshëm bërthamor, paralajmëroi Franca.

Ministri i Jashtëm, Laurent Fabius, deklaroi se Bashkimi Europian duhet të përmbushë plotësisht embargon e naftës, për të cilën është rënë dakord më parë dhe që duhet të nisë të zbatohet duke nisur nga data 1 korrik.

Fabius bëri deklaratat e tij pasi takimi i fundit midis Iranit dhe përfaqësuesve të gjashtë superfuqive në Moskë përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete.

Teherani përgënjeshtron pretendimet perëndimore se është duke u përpjekur që të zhvillojë një armë bërthamore.

Pas dy ditë takimesh në Moskë, kryediplomatja e BE-së, Catherine Ashton, pranoi se bisedimet nuk kishin arritur të avanconin në çështjet thelbësore, ndonëse ajo vlerësoi tonin e “qartë dhe të sinqertë” të bisedimeve.

Kryenegociatori iranian, Saeed Jalili, nga ana e tij i konsideroi negociatat si serioze, por theksoi edhe një herë më shumë se pasurimi i uraniumit është një e drejtë e patjetërsueshme, që i lind Iranit nëpërmjet parimeve të sovranitetit.

Bisedimet e Teheranit po zhvillohen me pesë vendet me të drejtë veto në OKB, SHBA, Kina, Rusia, Franca dhe Britania e Madhe, plus Gjermania.

Në dy muajt e fundit, përpara takimit të Moskës, ishin realizuar takime edhe në Stamboll dhe Bagdad.

Top Channel