Francë, forcat speciale çlirojnë pengjet

20/06/2012 17:40

Me një ndërhyrje blic, forcat speciale të policisë franceze kanë liruar personat e mbajtur peng në një bankë në qytetin e Tuluzës.

Sipas mediave ndërkombëtare, pengmarrësi, një 30-vjeçar me probleme mendore, ka mbetur i plagosur dhe është arrestuar.

Pengmarrja nisi para disa orësh dhe gjithësej ishin katër pengje, dy prej të cilave u liruan nga agresori, ndërsa dy të fundit nga ndërhyrja e forcave speciale.

Prokurori i qytetit, Michel Valet deklaroi më herët se personi në fjalë thoshte se nuk dëshironte para, por vepronte sipas bindjeve të tij fetare.

Fillimisht mediat franceze raportuan se pengmarrësi kishte thënë se ishte një anëtar i Al Kaedës dhe pasi kishte marrë 4 pengjet kishte kërkuar të negocionte me njësinë speciale që vrau Mohamed Merah, franko-algjerianin, autor i masakrës në shkollën hebraike në qytezën franceze.

Filiali i bankës ku ndodhi pengmarrja ndodhet në të njëjtën lagje ku më parë jetonte Mohamed Merah. Mes katër pengjeve ishte edhe drejtori i bankës.

Pritet që mbi pengmarrësin të kryhen një sërë hetimesh, për të verifikuar nëse vërtet ai është një anëtar i Al Kaedës, apo ka vepruar thjesht për shkak të bindjeve fetare.

Top Channel