Federal Reserve zgjat afatin e shkëmbimit të bonove

20/06/2012 21:40

Federal Reserve e Shteteve të Bashkuara vendosi të zgjasë afatin e shkëmbimit të bonove afatshkurtëra me ato afatgjata.

Programi i hartuar për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe balancimin e financave të SHBA-së, i njohur ndryshe si “Operation Twist” do të zgjatet deri në fund të këtij viti duke i lejuar kështu Federal Reserve të kryejë veprime mbi 267 miliard dollarë bono.

Programi synon të shkurtojë kostot afatgjata të huamarrjes së biznesve dhe ato të investuara në prona të paluajtëshme, kryesisht shtëpi.

Burime nga bordi drejtues i Federal Reserve, cituar nga mediat amerikane, thanë se vendimi për zgjatjen e programit nuk u mor në unanimitet, megjithatë me shumë gjasa do të pasohet nga lëvizje pozitive në bursën amerikane.

Analistët ndërkombëtarë vlerësojnë se kjo masë tregon edhe njëherë se ekonomia amerikane vazhdon të vuajë pasojat e krizës dhe ende nuk është në shinat e rimëkëmbjes së plotë. Sipas tyre, zgjatja e programit sidomos për pjesën e biznesit, do të ndikojë në uljen e papunësisë në SHBA pasi investitorëve u lihet më shumë kohë për të përfituar nga programi.

Top Channel