Egjipt, shtyhet zyrtarizimi i rezultatit të zgjedhjeve

20/06/2012 21:30

Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve presidenciale në Egjipt nuk do të jepen të enjten, ashtu siç ishte parashikuar, lajmëroi Televizioni Shtetëror Egjiptian ditën e mërkurë.

Më parë ishte lajmëruar se rezultatet do të publikoheshin ditën e enjte, por Komisioni Suprem i Zgjedhjeve deklaroi se ka nevojë për më shumë kohë, në mënyrë që të analizojë ankesat e paraqitura nga dy kandidatët në garë.

Secili prej kandidatëve, Mohammed Mursi dhe Ahmed Shafiq, pretendojnë se kanë fituar.

Në total janë regjistruar mbi 400 ankesa. Asnjë datë e re nuk është fiksuar për zyrtarizimin e rezultatit.

Nader Omran, një zëdhënës i Vëllazërisë Muslimane, partisë së Mursit, që ndërkohë ka organizuar disa manifestime kundër regjimit ushtarak në vend, protestoi kundër këtij vendimit të Komisionit Suprem.

“Kështu vetëm sap o rrisim tensionin midis njerëzve. Rezultatet nuk duhet të shtyhen asnjë çast më shumë”, u shpreh Omran.

Ndërkohë, raportohet se ish-presidenti, Hosni Mubarak, është klinikisht i vdekur, në një spital në Kajro ku është duke u trajtuar. Shëndeti i diktatorit pësoi një përkeqësim të menjëhershëm pasi u dënua me burgim të përjetshëm më parë gjatë javës, për rolin e luajtur prej tij në shtypjen e protestave të janar-shkurtit 2011, që eventualisht sollën fundit e regjimit të tij, por i morën jetën 860 egjiptianëve.

Top Channel