Ambasadori shqiptar në Maqedoni, Arben Çejku ka ftuar institucionet përgjegjëse në Shkup që ta marrin në mbrojtje familjen Ahmedov nga Velesi që javën e kaluar u dëbua prej shtëpisë nga huliganët maqedonas vetëm për shkak të përkatësisë entike shqiptare.

Z. Çejku priti të hënën në ambasadë kryefamiljarin e kësaj familjes Musli Ahmedov, të cilit i ka garantuar se shteti shqiptarë në rrugë institucionale do të kërkojë zgjidhjen për problemin e tij. Diplomati shqiptar po ashtu kërkoi që të ndëpriten këto fenomene të cilat mund të kenë pasoja negative edhe mbi raportet ndëretnike në vend.

“Në kuadër të marrëdhënieve ndëretnike ky është një shembull negativ dhe unë do të doja të thoja që shembujt e tillë nuk duhet të shtohen por të frenohen dhe të zgjidhen në mënyrë urgjente”, tha Arben Çejku, ambasador i Shqipërisë në Maqedoni.

Musli Ahmedov, falenderoi ambasadorin shqiptar për pritjen, ndërsa ftoi politikanët shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë që të shfaqin më tepër interes për të zgjidhur problemin e tij.

“Policia maqedonase edhe pse ishte e njoftuar me rastin nuk ka marrë asnjë masë. Ambasadori i Shqipërisë i cili ishte informuar nga mediat, më është lajmëruar me telefon dhe më ka takuar. Më ka thënë që do të më ndihmojë për të zgjidhur problemet. Edhe politikanët shqiptarë duhet të veprojnë kështu, s’ka pse maqedonasit të na kërcënojnë dhe të na tregojnë ku do të jetojmë”, tha Musli Ahmedov, shqiptar nga Velesi.

Me rastin e tij, Musliu të hënën ka njoftuar edhe nënkryetarin e partisë shqiptare në pushtet BDI, Izet Mexhitin, ndërsa të martën pritet të takohet edhe me zv/ministrin e Punëve të Brendëshme, Xhelal Bajramin.

Top Channel