Armët libiane në dorë të terroristëve

19/06/2012 16:00

Përfundimi i Pranverës Arabe i ka dhënë shkas krijimit të një stine të re shqetësimesh në Afrikën e Veriut.

Ndërsa Muammar Gaddafi është larguar prej Libisë, armët e përdorur prej rebelëve  për ta rrëzuar kanë nisur të destabilizojnë të gjithë rajonin, deklaroi Amanda Dory, një zyrtare e lartë në Departamentin e Mbrojtjes në SHBA.

”Demilitarizimi i kryengritësve në Libi është shoqëruar me një rrjedhje të madhe armësh dhe i ka dhënë jetë një trafiku të frytshëm ndërkufitar, në një periudhë vështirësish të theksuara ekonomike për popullin libian”, u shpreh Dory për “CNN”.

Shumë prej këtyre armëve, siç frikësohej më parë Pentagoni, janë duke furnizuar degët e Al-Kaedës në Afrikë, veçanërisht në Mali, ku në muajt e fundit forcimi i militantëve islamikë i ka lejuar ata të ndërmarrin disa fushata ndaj qeverisë qëndrore të Bamakos.

Shumë shqetësues edhe eksporti i armëve drejt Somalisë së dominuar nga forcat e al-Shabab, një organizatë islamike me lidhje të ngushta me Al-Kaedën apo furnizimi i Ushtrisë së Rezistencës së Zotit, të Joseph Kony, përgjegjëse për dhjetëra mijëra vrasje, rrëmbime e miliona banorë të shpërngulur, në disa prej rajonevemë të varfëra të Afrikës.

Rreth 100 trupa amerikane, kryesisht të forcave speciale, ndodhen aktualisht në Afrikë për të luftuar trupat e Konyt, por në kushtet e reja, duket se një kontigjent i tillë është krejtësisht i pamjaftueshëm për të kryer një fushatë të suksesshme kundër liderit të frikshëm rebel.

Top Channel