“Skënderbeu” rikthehet në opera

19/06/2012 15:40

Opera “Skënderbeu”, një ndër veprat më të bukura klasike të Prenk Jakovës, është kthyer në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit pas një mungese 44-vjeçare.

Opera në dy akte dhe 6 tablo, e realizuar me libret të Llazar Siliqit flitet të ketë qenë edhe arsyeja që çoi në vetëvrasjen e autorit të saj vetëm një vit pas vënies së saj në skenë. Jakova  punoi në mënyrë kolosale për krijimin  e operas, por kritika zyrtare nuk e priti pjesën me të njëjtin entuziazëm që e vlerësuan dashamirësit e artit të asaj kohe dhe autori nuk mori asnjë falenderim apo përgëzim për të.

Megjithëse ishte realizuar me kërkesë të udhëheqësve të atëhershëm, mbas pengesave dhe ftohtësisë që hasi nga byroja politike, vepra nuk u vu më në skenë gjatë periudhës së komunizmit.

Roy Stevens dhe Erlind Zeraliu janë përzgjedhur për të interpretuar Skënderbeun, një rol i realizuar me mjeshtëri nga Xhoni Athanas në vënien e parë në një skenë të operas. Përmasat e produksionit kanë kërkuar një impenjim të madh duke qenë se realizimi i veprës mund të bëhej vetëm me pjesëmarrjen e një numri të konsiderueshëm artistësh e muzikantësh.

Kasta e gjerë e interpretuesve, të cilët kanë performuar në skenën e realizuar me skenografi të Platon Bardhit dhe nën drejtimin e mjeshtrit koncertues Zhani Ciko, përfshin solistë të Teatrit të Operas dhe Baletit, artistë të Ansamblit Popullor, pjesëtarë të korit të Universitetit të Arteve si dhe fëmijë të qendrës kulturore.

“Skënderbeu” sjell një pjesë nga jeta e heroit tonë të madh kombëtar dhe së bashku me operan tjetër të Jakovës, “Mrika”, janë ndër operat e para shqiptare. Ajo vjen sërish pranë publikut si një iniciativë e Teatrit të Operas dhe Baletit me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA