Demokracia e Re e Antonis Samaras fitoi zgjedhjet parlamentare ne Greqi me rreth 30% te votave, kundrejt rreth 26% që siguruan radikalët e majtë të Aleksi Tsiprasit.

Tashmë ajo që mbetet të shikohet në orët në vijim është nëse do të mundin konservatorët të krijojnë një qeveri koalicioni, pasi asnjë nga partitë nuk ka siguruar më shumë se 150 vende që të mund të qeveriste e vetme.

Një tjetër goditje të rëndë morën socialistët e PASOK-ut të cilët ranë nën 13%, duke shënuar një përkeqësim krahasuar edhe me zgjedhjet e 6 majit, por që do të kenë një rol vendimtar për krijimin e qeverise së re që me shumë gjasa do të përbëhet nga Demokracia e Re dhe Pasok-u.

Reagimet pas fitores së Demokracisë së Re

Fitorja e Demokracisë së Re në zgjedhjet parlamentare në Greqi është përshëndetur nga liderët botërorë në të gjithë botën të cilët tashmë kërkojnë formimin e kabinetit qeveritar sa më shpejt të jetë e mundur.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin si diçka pozitive qëndrimin e Greqisë në Eurozonë.

Në Berlin, ministri i Financave Wolfgang Schauble theksoi se “vota e grekëve ishte pro implementimit të reformës ekonomike dhe fiskale”.

“Kjo rrugë e ndërmarrë nga Greqia nuk është e lehtë dhe e shkurtër, por është e nevojshme dhe do i japë popullit grek një të ardhme më të mirë”, deklaroi Schauble.

Top Channel