SHBA, McCain akuzon Romneyn

18/06/2012 16:40

Ish-kandidati republikan për presidencën amerikane, John McCain ka akuzuar kandidatin aktual Mitt Romney se po përdor kapitale të huaja financiare në fushatën e tij.

“Kapitalet e huaja po depërtojnë në fushatën elektorale amerikane”, ka deklaruar McCain, sipas të cilit është manjati i kazinove Sheldon Adelson që ka derdhur miliona dollarë.

“Edhe pse në mënyrë indirekte, kapitalet e huaja po hyjnë në fushatën elektorale. Zoti Adelson po përdor përfitimet nga pronat që zotëron në Makau të Brazilit për të influencuar zgjedhjet”, ka thënë McCain.

Javën e kaluar, Adelson dhuroi 10 milionë dollarë për komitetin e aksionit politik “Restore Our Future”, por megjithatë ligji federal mbi fushatën elektorale ndalon që individë të huaj të kontribuojnë me paratë e tyre.

“Ndodhemi përpara sasive të mëdha parash dhe besoj se duhet të kthehemi në shembullin e Teddy Roosevelt, në vitin 1901, ose të kufizojmë donacionet”, ka thënë McCain.

Kritikat e senatorit të Arizonës vijnë pavarësisht se ai vetë është një nga mbështetësit kryesorë të kandidatit Mitt Romney në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Megjithatë, McCain ka qenë gjithmonë kritik ndaj kontributeve të mëdha financiare në fushatat elektorale, që vijnë kryesisht nga individë shumë të pasur.

Në të njëjtën linjë, ai kritikoi më herët ish-kryetarin e Dhomës, Neët Gingrich për faktin se pranoi nga manjati Adelson një kontribut prej 21 milionë dollarësh.

Top Channel