Deputetja e pavarur në Parlamentin e Serbisë, Vesna Peshiç ka deklaruar se Partia Demokratike, që do të formojë qeverinë e re të vendit, duhet ta përjashtojë përfshirjen e Ivica Daçiç, të cilin ajo e përshkruan si “Sllobon e vogël”.

Sipas Peshiç, Daçiç mendon se pa të nuk mund të formohet një koalicion qeverisës dhe për këtë arsye ai kërkon nga Tadiç dhe Nikoliç që të jetë protagonisti kryesor.

“Mendoj se Daçiç sillet kështu sepse prapa tij janë rusët dhe shefja e tij Mira Markoviç. Për këtë aryse, Slloboja i Vogël duhet përjashtuar”, ka deklaruar Peshiç për B92.

Deputetja e pavarur ka shtuar më tej se, nëse Serbia dëshiron që të çlirohet nga e kaluara e saj, atëherë ajo duhet të çlirohet së pari nga Daçiç.

Daçiç ka qenë zëdhënësi i “kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millosheviç, gjatë kohës që ky i fundit kishte urdhëruar nisjen e masakrave dhe spastrimeve etnike ndaj popullsive joserbe.

Në vitet e fundit ai ka mbajtur postin e ministrit të Brendshëm, përmes të cilit ka ushtruar presion ndaj Kosovës duke arrestuar shtetas të shumtë kosovarë, me argumentin se janë “terroristë shqiptarë”.

Top Channel