Kërkesat e shumta të azilkërkuesve kosovarë dhe luftimi i krimit të organizuar mund ta vështirësojnë liberalizimin e vizave në një të ardhme të afërt per Kosovën.

Për ministrin e  Brendshëm Bajram Rexhepi, ky është një rrezik, por ai premton se 95 kriteret e përfshira për liberalizimin e vizave në aspektin teknik do të plotësohen.

Këto komente Rexhepi i bëri pas takimit me ministren e Drejtësisë së Suedisë, Beatrice Ask, e cila dha mbështetjen në proçesin e liberalizimit të vizave.

“Dy probleme mund të jenë kryesore në rrugëtimin tonë drejt liberalizimit, një prej tyre është nëse numri i azilkërkuesve është i madh. Pavarësisht mendimeve të gazetarëve që nga njëherë thonë se kjo është demagogji, e përsëris se armiku më i madh i liberalizimit do të jetë nëse edhe më tutje qytetarët e Kosovës do të keqpërdoren nga agjenci të ndryshme duke iu premtuar azil”, deklaroi Rexhepi.

“Çështja e vizave është në axhendë dhe mendoj të presim rezultatin në këtë drejtim. Mundësitë që kosovarët të kenë liberalizimin dhe po ashtu të marrin pjesë në aktivitete sportive dhe aktivitete të tjera janë. Kemi biseduar për këtë dhe mendoj se shoqërisë duhet t’i jepet shpresë dhe mundësi”, tha nga ana tjetër ministrja suedeze Ask.

Sipas ministri Rexhepi, një nder shtetet që ka pasur shqetësime është Suedia, bashkë me Belgjikën dhe Francën. Rexhepi dhe Ask nënshkruan një marrëveshje e cila përfshin bashkëpunimin policor dhe doganor.

Marrëveshja përfshin shkëmbimin e informatave në mënyrë që të luftohet krimi i organizuar dhe dukuritë e tjera negative.

Top Channel