Shpenzojnë mbi 1 mijë euro koktejle e pije alkoolike e në fund largohen pa paguar. Kjo është ndodhia e pazakontë në Firenze të Italisë që ka për protagonstë anëtarët e stafit të Madonna-s.
Pronari i barit ka denoncuar ngjarjen në mediat italiane. Ai thotë se dhjetra pjesëtarë të stafit të mbretëreshës së pop-it zgjodhën barin e tij, me pamje panoramike nga sheshi “Michelangelo” në Firence për t’u argëtuar për pak orë.
Por në fund, janë larguar pa paguar porosinë, jo pak, por plot 1 mijë euro pije alkoolike. Pas kësaj, pronari i lokalit është paraqitur në hotelin ku ishte rehatuar Madonna dhe stafi i saj me shpresën se do të merrte paratë e tij.
Aty ka hasur me kundërshtimin e punonjësve të sigurisë. Pas këmbënguljes së tij, një nga menaxherët e këngëtares ka dalë dhe i “ka sqaruar” atij se ka patur një marrëveshje mes Madonna-s dhe pronarit të lokalit ku u konsumua dhe nuk u pagua. Por duke qenë vetë pronari i lokalit, ai u habit e vazhdoi të këmbëngulte për llogarinë. Pas shumë peripecish, palët kanë rënë dakort dhe nga stafi i Madonna-s është vendosur të paguhej 800 euro, 425 euro më pak nga ç’bënte fatura.
“Quhesh Madonna, Luigi apo Maroi dhe konsumon në një lokal, është e pasjellshme të mos paguash, vetëm nëse pronarët vendosin ndryshe”, tha ai i irrituar për mediat italiane.
Top Channel