Pothuajse dhjetë milionë grekë me të drejtë vote do të përcaktojnë ditën e dielë nëse e ardhmja e Greqisë do të jetë brenda apo jashtë Eurozonës, ndërsa qendrat e votimit janë hapur që prej orës shtatë të mëngjesit.

Dy partitë kryesore sipas sondazheve, radikalët e majtë të “Syriza” dhe “Demokracia e Re” janë shumë pranë në preferenca.

Sipas “Syriza”-s, refuzimi i paketës së BE-së për shpëtimin e vendit dhe rrjedhimisht edhe kalimi në dhrahmi është rruga e duhur për rikthimin e begatisë në vend.

Demokracia e Re e Samaras, fituese në zgjedhjet e majit që nuk arritën të prodhonin një qeveri pasi asnjë parti nuk arriti të krijonte një koalicion të shumicës, këmbëngul në qëndrimin në rrugën e parashtruar në bisedimet me BE-në, për të marrë këstet e ardhshme të kredisë, për të cilën mund të kërkohet negocim për lehtësimin e kushteve.

Socialistët e “Pasok” pritet që të regjistrojnë rezultatin më të dobët historik, duke paguar kështu koston e dy viteve të fundit të qeverisjes, periudhë gjatë së cilës vendi u përfshi nga kriza e thellë.

Një pjesëmarrje të rëndësishme në Parlamentin e ardhshëm Grek pritet të sigurojnë edhe dy ekstremet, komunistët dhe neonazistët e “Chrysy Avgy”.

Votimet e së dielës në Greqi janë duke u parë me vëmendje si kurrë më parë në të gjithë botën, nga frika se një vendim i Athinës për të braktisur monedhën e përbashkët euro do të trondiste ekonominë botërore.

Aktualisht, Greqia vuan nga recesioni i thellë ekonomik, i shkaktuar nga kriza e financave shtetërore, me një defiçit buxhetor prej 160% të Prodhimit të Brendshëm Bruto ose prej më shumë se 500 miliardë eurosh.

Top Channel