Vlorë, kapet një tjetër gomone

16/06/2012 21:00

Një gomone me një motor 250 kuaj/fuqi dhe një sasi e konsderueshme droge e llojit kanabis u kapën pasditen e së shtunës nga policia e Vlorës në pyllin e Zvërnecit.

Burime policore lokale njoftojnë se po vijon operacioni për kapjen e poseduesve të drogës, të cilët rezulton se janë arratisur pasi kanë vënë re praninë e policisë.

Gomonia u kap 24 orë pasi një tjetër mjet i ngjashëm pergatitej të nisej nga palasa i ngarkuar me drogë.

Bëhej fjalë për një gomone të vjedhur në Itali, që dyshohet se do të përdorej vetëm për një rrugë nga trafikantët që çojnë marijuanën nga brigjet shqiptare në ato italiane.

Pasi kishin marrë njoftim nga pala italiane se drejt gjirit të Vlorës ishte duke lundruar një gomone e dyshimtë, forcat e policisë kufitare u drejtuan drejt Kepit të Gjuhëzës, majës së Karaburunit.

Por pasi pritën për më shumë se dy orë aty, tre gomonet e policisë kufitare të Vlorës u njoftuan se mjeti që po vinte nga Italia ishte drejtuar për nga rrugët e Bardha, në zonën e Palasës.

Kufitarët bënë për gjatë gjithë natës kontrollin e të gjitha gjireve në anën perëndimore të gadishullit të Karaburunit dhe në orët e para të ditës pikasën mjetin e dyshuar.

Top Channel