Kur kanë kaluar 90 vjet nga rënia e perandorisë otomane, duket se ka filluar një rrugë e re ripushtimi nga Stambolli drejt Athinës, ndonëse vetëm ekonomik.

Ekonomia greke është në rënie të lirë, ndërsa Turqia del nga 10 vjet zhvillim dhe po kthehet në një strehë për shumë helenas, bëjnë të ditur agjencitë e huaja të lajmeve.

Sipas burimeve, në javët e fundit në bankat turke janë transferuar nga Greqia rreth 400 milionë euro, ndërkohë që sasi të tjera të konsiderueshme pritet të vijnë.

Turqit synojnë të marrin nën kontrollë ndërmarrjet dhe sektorin detar grek, ndërsa të rinjtë helenas, të papunë, emigrojnë drejt Turqisë në kërkim të punës.

Turqia, një fuqi rajonale në zhvillim, do të hyjë në vitet e ardhshme në radhët e dhjetë ekonomive më të fuqishme të botës.

Parashikimi është bërë muajin e kaluar nga ambasadori amerikan në Ankara, Francis Ricciardone, sipas të cilit vendi i madh i lindjes së Mesdheut po udhëton me një ritëm rritjeje prej 8.5 për qind.

Që tani, Turqia është ekonomia botërore e 16-të dhe synon të bëhet e teta brenda vitit 2023, kur dhe do të festojë 100 vitet e republikës laike të themeluar nga Mustafa Qemal Ataturk.

Top Channel