Rrëzohet autobusi në Qafë-Krrabë

16/06/2012 00:00

Një autobus me rreth 35 persona, aktivistë të Aleancës Kuq e Zi, është rrëzuar në Qafën e Krrabës, në vendin e quajtur Qershitë. Për pasojë, 29 persona kërkuan mjekim, 8 nga të cilët kanë pësuar dëmtime dhe dy prej tyre janë në gjendje serioze.

Ata janë Artan Kojku dhe Panvera Dollaku, të cilët janë transportuar me urgjencë për në spital për mjekim. Në vendin e ngjarjes, në një zonë 30 metra poshtë rrugës nacionale, ka mbërritur me urgjencë edhe një helikopter për të transportuar personat që janë më rëndë.

Për fat të mirë, autobusi ka qëndruar pak metra pasi ka dalë nga rruga. Sipas dëshmitarëve që ndodheshin në autobus, aksidenti ndodhi pas një parakalimi të shpejtë të një mjeti tip “Jeep” me targa të Tiranës, me ngjyrë të zezë, “Range Rover”.

Mjeti me shpejtësi, gjatë parakalimit ka goditur shkarazi në anën e majtë autobusin dhe më pas ka humbur kontrollin dhe ka ndalur diagonal në shtratin e rrugës.

Drejtuesi i autobusit, në përpjekje për të shmangur goditjen fatale me mjetin tjetër ka devijuar dhe frenuar, por jo mjaftueshëm dhe për pasojë autobusi ka dalë nga rruga.

“Autobusi po shkonte nga Tirana në drejtim të Elbasanit. Makina ishte ose “Range Rover”, ose “Land Rover”. Në momentin që autobusi po dilte nga rruga, makina i ka rënë pak mbrapa. Shoferi devijoi, ai bëri për ta parakaluar, e goditi dhe autobusi doli nga rruga. Tetë vetë u plagosën rëndë”, tregon Edmond Kurti, që udhëtonte në autobus.

Policia menjëherë pas marrjes së dëshmive u vu në kërkim të mjetit që provokoi këtë aksident, që për pak u kthye në një ngjarje fatale. Dëmtimi është amortizuar nga pemët dhe vegjetacioni i dendur që ndodhet në këtë zonë.

Në autobus ndodheshin rreth 30 persona, që të gjithë aktivistë të Aleancës Kuq e Zi, nga Librazhdi, të cilët po ktheheshin nga një aktivitet i forcës së tyre politike në Tiranë.

Autoambulancat kanë përcjellë për në spital 29 persona të cilët kërkuan mjekim. Sipas policisë, 8 persona janë lënduar dhe 2 prej tyre kanë pësuar fraktura të rënda dhe po marrin mjekim intensiv.

“Duke u kthyer ishte një kthesë, një “Range Rover” e zezë na bëri parakalim, i ra gomës së parë të autobusit dhe pastaj ai ra poshtë, duke bërë 3-4 rrokullisje”, rrëfen nga spitali pasagjerja e plagosur Pranvera Sollaku.

Mjekët kanë kontrolluar të gjithë pasagjerët e autobusit sapo ata mbërritën me mjete të ndryshme dhe autoambulanca. “Në spitalin tonë kanë ardhur 29 persona. Ata kishin dëmtime të lehta, vetëm dy raste paraqesin probleme, që mund të kenë të bëjnë me trauma ose hemoragji. Por të tëra rastet nuk përbëjnë problem për jetën”, ka sqaruar kirurgu Behar Gjevori.

Ky aksident përfundoi pa pasoja tragjike dhe të gjithë të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën, ndryshe nga tragjedia e Himarës, ku një autobus me studentë ra në greminë dhe 13 prej tyre gjetën vdekjen. 

Identitetet e te plagosurve

Altin Alla
Artan Kojku
Taulant Muca
Dritan Bozhiqi
Fatmir Brazhda (kryetari i Aleancës Kuq e Zi për Librazhdin)
Florian Shkurti
Medin Hysa
Olsi Ozuni
Pranvera Sollaku

PDIU: Të zbardhen sa më parë shkaqet

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet u bën apel autoriteteve të zbardhin sa më shpejt shkaqet e aksidentit në Qafë-Krrabë.

“Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ndjek me shqetësim gjendjen e aktivistëve të Aleancës Kuq e Zi, të dëmtuar gjatë aksidentit në aksin rrugor Tiranë-Elbasan. Për fat të mirë, gjatë këtij aksidenti nuk pati humbje njerëzore, çka do të ripërsëriste tragjedinë e pak ditëve më parë. PDIU shpreh solidaritetin njerëzor për gjendjen shëndetësore të të plagosurve dhe u uron atyre shërim të shpejtë. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje autoriteteve zyrtare të zbardhin sa më parë shkaqet e këtij aksidenti.”- theksohet në njoftimin e PDIU-së. 

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta