Komuna e Prishtinës dhe Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë përuruan të shtunën zonën turistike pranë kryeqyetit kosovar.

Zona turistike në fshatin Keqekollë do të ofrojë për turistët shtëpi mikpritëse, ushqim tradicional, kalërim si dhe oferta të tjera tradicionale e turistike.

Sipas menaxherëve të projektit, fillimisht do të trajnohen 15 familje të cilat do të përkrahen me grante për përgatitjen e ushqimeve tradicionale dhe turizmit rural.

Gjithashtu, do të trajnohen tetë ciceronë si dhe tetë gra të vjetra për përgatitje dhe shitjen e prodhimeve vendore e tradicionale, njofton agjencia “Kosova Press”.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa deklaroi gjatë ceremonisë se ky projekt është i vlefshëm pasi do të ndalë shpërnguljen e banorëve të kësaj ane, si dhe do të kontribuojë në hapjen e vendeve të reja të punës.

Shefi i operacioneve në Zyrën e BE-së, Christof Stock tha se ky projekt jo vetëm promovon turizmin, por mbështet zhvillimin ekonomik në rajonin e Prishtinës.

Për realizimin e këtij projekti, Zyra e BE-së në Prishtinë ka dhënë rreth 240 mijë euro, ndërsa Komuna e Prishtinës 20 mijë euro. Sipas menaxherëve, projekti parashikohet të përfundojë në maj të vitit 2013.

Top Channel