Sido që të votojnë grekët, investitorët e huaj e konsiderojnë Greqinë një vend “me rrezikshmëri të lartë” dhe kanë nisur të braktisin vendin me ekonomi të shkatërruar për shkak të borxheve dhe masave drastike të ndërmarra për shlyerjen e tij.
Lajmi pozitiv që po qarkullon në këto kohë të zymta për grekët, është ai i “ekzistencës së një plani sekret” të Bashkimit Europian. Sipas “Financial Times” BE është e gatshme “t’i shtrijë dorën fituesit të zgjedhjeve pavarësisht emrit të tij”.
Gazeta prestigjoze shkruan se ekziston një plan i vendeve të Eurozonës që zbut masat e forta për Greqinë. Kjo do të thotë ulje taksash, reduktim të interesave të borxhit galopant dhe më shumë mundësi financiare për qeverinë e Athinës për të luftuar papunësinë në vend.
“Financial Times” citon një burim anonim nga Brukseli, i cili thotë se plani sekret është hartuar për liderin e konservatorëve të Demokracisë së Re, Andonis Samaras që sondazhet e fundit e nxjerrin fitues të zgjedhjeve, megjithëse për të formuar qeverinë sërish do t’i duhet një koalicion.
“Nëse bëhet kryeministër dhe mposht rivalin e tij, Alexis Tsipras të së majtës radikale dhe do të angazhohej për të respektuar memorandumin e nënshkruar me trojkën për masat ekonomike, Brukseli do të kujdeset që t’ua lehtësojë barrën të gjithë grekëve”, citon zyrtarin e Brukselit “FT”.
Samaras ka mbështetjen e fortë edhe të Berlinit, sipas “Financial Times”, që hap editorialin me shkrimin në greqisht dhe gjermanisht “Të dashur grekë, votoni me kurajo për reformat se sa me zemërim kundër ndryshimeve të domosdoshme strukturore”.
E pas gjithë këtyre apeleve, s’mbetet gjë tjetër vetëm të presim ditën e hënë…grekët kanë edhe pak orë kohë të reflektojnë para se të hedhin votën e tyre ditën e dielë.
Top Channel