Kufitarët e Vlorës kapin një supergomone të vjedhur

16/06/2012 00:00

Strukturat e Policisë Kufitare të Vlorës kanë bllokuar një supergomone. Një varkë e re me gjatësi prej 12 metrash dhe me 3
motorë të fuqishëm është bllokuar në bregdetin e Palasës.

Bëhet fjalë për një gomone të vjedhur në Itali, që dyshohet se do të përdorej vetëm për një rrugë nga trafikantët që çojnë marijuanën nga brigjet shqiptare në ato italiane. Pasi kanë marrë njoftim nga pala italiane se drejt gjirit të Vlorës ishte duke lundruar një gomone e dyshimtë, forcat e policisë kufitare janë drejtuar drejt Kepit të Gjuhëzës, majës së Karaburunit.

Por pasi kanë pritur për më shumë se dy orë aty, tre gomonet e policisë kufitare të Vlorës janë njoftuar se mjeti që po vinte nga Italia ishte drejtuar për nga rrugët e Bardha, në zonën e Palasës. Kufitarët kanë bërë për gjatë gjithë natës kontrollin e të gjitha gjireve në anën perëndimore të Gadishullit të Karaburunit dhe në orët e para të ditës kanë pikasur mjetin e dyshuar.

Drejtuesit e mjetit i janë drejtuar bregdetit të Palasës dhe pasi kanë braktisur gomonen në zhavorr, janë larguar në këmbë, duke humbur gjurmët. Policia kufitare e Vlorës ka bërë me dije për “Shqip”, se gomonia vinte drejt brigjeve shqiptare për të marrë një ngarkesë droge dhe do të rikthehej sërish në Itali. Sipas policisë kufitare të Vlorës, që u referohet ekspertëve të policisë italiane, të cilët po hetojnë rastin, trafikantët do ta braktisnin mjetin e vjedhur përsëri në Itali, pasi të shkarkonin mallin. Mendohet se drejtuesit e gomones së vjedhur janë shtetas shqiptarë, të cilët njohin terrenin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB