Mëngjesin e së shtunës KFOR-i ka përfunduar me sukses një operacion duke e mbyllur fizikisht rrugën alternative të Portës 16, në afërsi të Bërnjakut.

Ky operacion, sipas KFOR-it, është kryer në mënyrë që të kontribuojë për një ambient të qetë dhe të sigurt, duke i parandaluar lëvizjet e paautorizuara përgjatë vijës kufitare administrative.

Përpjekjet e KFOR-it aktualisht janë të fokusuara në angazhimin në dialog me përfaqësuesit e banorëve lokalë, gjersa në të njëjtën kohë apelon që çdo protestë të mbetet e qetë dhe paqësore, pa penguar lirinë e lëvizjes.

KFOR njofton se mbyllja e rrugës alternative lejon trupat e KFOR-it të përqendrohen në kryerjen e detyrave thelbësore për misionin e tyre kryesor për të kontribuar për një ambient të qetë dhe të sigurt.

Për më tepër, KFOR-i lufton frikësimin e papranueshëm të banorëve lokalë, të cilëve iu është bërë presion financiar kundër shfrytëzimit të vendkalimit të autorizuar, përdorimi i të cilit tani ka arritur normalizimin e situatës për ta.

KFOR-i nuk mund t’i konfirmojë raportimet që flasin për lëndimet e marra nga një civil kur trupat e KFOR-it kanë shtënë në ajër tre plumba gome, në mënyrë që të mos i lënë protestuesit të hipin mbi automjetet e KFOR-it në Termohi, mirëpo mund të deklarojë që situata e përgjithshme mbetet e qetë.

“Ne inkurajojmë të gjitha palët që t’i shmangen veprimeve të njëanshme, deklaratave nxitëse ose veprimeve të dhunshme”, ka apeluar misioni i NATO-s.

Beogradi: KFOR t’i përmbahet mandatit

Ministria për Kosovën në qeverinë e Serbisë ka bërë apel tek të gjithë në Kosovë që të përmbahen nga dhuna, por edhe nga KFOR-i që të mos përdorë forcën dhe t’i përmbahet mandatit të tij.

“Çdo tensionim i situatës mund të çojë deri tek dhuna me përmasa dhe pasoja të mëdha. Të gjithë aktorët në krahinë, ndërkombëtarë e lokalë, duhet të punojnë për normalizimin e situatës në terren dhe krijimit të një atmosfere të besimit në terren, si një hap të domosdoshëm për vazhdimin e bisedimeve në mes të Beogradit dhe të Prishtinës”, thuhet në një deklaratë të ministrisë.

Sekretari i kësaj ministrie, Oliver Ivanoviç, ka thënë se aksionet e KFOR-it kanë qenë të panevojshme. Sipas tij, është e kuptueshme sikurse aksionet e KFOR-it të kishin të bënin me cënimin e lirisë së lëvizjes së pjesëtarëve të misionit. Ministria për Kosovën ka qenë e vetmja që ka reaguar deri më tani, ndërsa mediat kanë raportuar për dy serbë të plagosur gjatë përleshjeve.

Top Channel