Egjipti mes ushtarakëve dhe islamikëve

16/06/2012 21:55

Ushtarakët apo islamikët! Kjo është dilema e zgjedhjeve presidenciale në Egjipt, ku përballë njëri-tjetrit janë kreu i krahut politik të Vllazërisë Myslimane, Mohammed Mursi dhe kryeministri i fundit i periudhës së Hosni Mubarakut, Ahmed Shafik.

Votimet dyditore do të nxjerrin të parin president të vendit të zgjedhur në mënyrë të lirë. Gjeneralët në pushtet kanë premtuar t’ia kalojnë qeverisjen e vendit fituesit në datën 30 qershor, por shumë prej atyre që morën pjesë në revolucionin e vitit të kaluar e konsiderojnë alternativën e ofruar jofrymëzuese, e madje disa bënë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve apo prishjen e qëllimshme të fletëve të votimit.

Në hapjen e qendrave të votimit, pak shenja kishte për radhët e gjata apo entuziazmin që karakterizoi raundin e parë apo parlamentarët e nëntorit. “Revolucionin na e vodhën. Nuk ishte kjo ajo për të cilën luftuam”, tha tregtari Nabil Fatah për “Associated Press”.

Ndërsa një tjetër votues thotë se zgjedhja e tij ka qenë Vllazëria Myslimane. “Unë e dhash votën për Mohamed Mursi. Jemi qeverisur nga ushtria prej më shumë se 60 vjetësh. Jemi lodhur prej tyre, ndaj duam të provojmë një sistem tjetër, të shohim si do të funksionojë”, u shpreh ai.

Situata përpara balotazhit ka qenë e tensionuar për shkak të vendimit të Gjykatës së Lartë për shpërbërjen e parlamentit. Të enjten, anëtarët e saj, të caktuar në kohën e Mubarakut, vendosën t’i shpallnin jokushtetuese të parat zgjedhje demokratike të vendit në më shumë se 6 dekada, për shkak se eksponentë partiakë u lejuan të kontestonin vendet në Dhomen e Ulët, të cilat i ishin rezervuar të pavarurve.

Partia e Mursit për Liri dhe Drejtësi kishte fituar 100 prej 235 vendeve në Asamblenë e Populit me kandidatë për vendet individuale e një sukses të ngjashëm kishin patur edhe ultrakonservatorët salafistë, me vende të parashikuara për kandidatët e pavarur.

Top Channel