
Presidenti iranian Mahmoud Ahmadinejad do të tërhiqet nga jeta politike vitin e ardhshëm, në përfundim të mandatit të tij të dytë.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai, në një intervistë për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. “Tetë vjet mjaftojnë. Mendoj t’i rikthehem shkencës”, ka deklaruar Ahmadinejad gjatë intervistës.
Kushtetuta e Republikës Islamike nuk i lejon kandidimin për një mandat të tretë. “Ndoshta do të angazhohem politikisht në universitet, por nuk do të themeloj një parti apo një grup politik”, ka thënë më tej Ahmadinejad.
Presidenti Ahmadinejad ka qenë një ndër figurat më të kontestuara të vendeve të Lindjes së Mesme, sidomos për zotimin e tij për implementimin e proçesit të pasurimit të uraniumit.
Perëndimi e ka akuzuar disa herë atë për përpjekje për prodhimin e bombës bërthamore, akuzë të cilën presidenti vazhdimisht e ka hedhur poshtë duke deklaruar se programi ka vetëm qëllime paqësore.
Gjithashtu, Ahmadinejad mbahet mend për deklaratat e tij kundër Holokaustit, si dhe për ato ku thoshte: “Do ta fshijmë Izraelin nga harta e botës”.
Një tjetër deklaratë e tij që ka shkaktuar polemika ka qenë ajo se, atentatet e 11 shtatorit në Nju Jork kanë qenë skenar i vetë administratës amerikane.
Top Channel