Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Arabinë Saudite, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli, u prit nga mbreti Abdullah Ibn Abdulaziz al Saud.
Në takim u diskutua për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për përkrahjen që Arabia Saudite i ka dhënë dhe po vazhdon t’i japë Kosovës.
Gjatë takimit, kryeministri Thaçi e informoi mbretin Abdullah Ibn Abdulaziz al Saud për zhvillimet aktuale në Republikën e Kosovës dhe vizionin e qeverisë së saj për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve.
“Kosova është një shtet, që shikon kah e ardhmja dhe punon për të ardhmen zhvillimore. Në këtë drejtim mbështetja e Arabisë Saudite është e mirëpritur”, theksoi kryeministri Thaçi.
Në takim u bisedua edhe për proçesin e njohjeve të reja për shtetin e pavarur dhe demokratik të Kosovës. Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi kërkoi nga mbreti Abdullah që Arabia Saudite ta ndihmojë Kosovën në këtë proçes, posaçërisht tek ato vende të pa inkuadruara që manipulohen nga diplomacia e Beogradit.
Kryeministri Thaçi gjatë takimit të sotëm falenderoi Arabinë Saudite për përkrahjen e Kosovës, si gjatë periudhës së luftës çlirimtare, ashtu edhe gjatë procesit të rindërtimit.
Në takim, ai foli edhe për projektet e infrastrukturës rrugore, posaçërisht për magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, dhe mori përkrahjen e mbretit për investime përmes Bankës Islamike.
Nga ana e tij, mbreti Abdullah Ibn Abdulaziz al Saud shprehu vullnetin e Arabisë Saudite për t’a përkrahur Republikën e Kosovës në vendet ku ka ndikim Arabia Saudite, si në proçesin e njohjeve, ashtu edhe në ekonomi, investime dhe turizëm.
Top Channel