Situatë dramatike në Siri

15/06/2012 23:45

Situata në Siri po bëhet gjithnjë e më dramatike. Të enjten burime jo zyrtare raportuan për mbi 14. 400 të vrarë gjatë 15 muajve të konfliktit.

Sot flitet për bilancin e rënduar të refugjatëve sirianë në Turqi. Janë mbi 31 mijë. Shifra u publikua nga Ministria e Jashtme turke. Turqia, dikur një vend aleat me Sirinë, ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me regjimin e Bashar Al Asadit dhe strehon aktualisht një numër të madh të drejtuesve të opozitës siriane.

Nga ana tjetër, Hjumen Rajt Uoc në raportin e saj, shkruan se milicitë pro-qeveritare kanë përdhunuar barbarisht në grup gra dhe vajza, disa prej të cilave nën 12 vjec, gjatë operacioneve në zonat e banuara.

Sarah Li, Drejtoresha e organizatës për Lindjen e Mesme thotë se dhuna seksuale është një nga armët më të tmerrshme në listën e torturave të qeverisë siriane”.  Ajo u referohej dëshmive që flisnin për keqtrajtimin e djemve të rinj në qeli, të cilëve u shkuleshin thonjtë apo kishin pësuar shok elektrik në organet gjenitale.

Në disa zona të vendit vazhdojnë bombardimet. Të premten raportohet për civilë të vrarë në provincën lindore të Deir Al Zurit, në provincën veriore të Alepit dhe në periferi të Damaskut.
       
Kreu i Misionit Mbikëqyres të OKB-së në Siri, gjenerali Robert Mud tha se paleve në konflikt u mungon vullneti për të arritur një tranzicion paqesor.

“Duket se ka një mungesë vullneti për tranzicionin paqësor, rrugën paqësore për të cilën po përpiqemi si ne ashtu dhe populli sirian. Ndërkohë që palët po avancojnë në pozicionet e tyre ushtarake”, tha kreu i UNSMIS për Sirinë, Robert Mood.

Në një konference për shtyp në Damask, gjenerali Mud nënvizoi se përshkallezimi i dhunës po kufizon aftësinë e vëzhguesve të OKB-së për të verifikuar, raportuar si dhe për t’i asistuar dialogut dhe stabilitetit.

“Dhuna gjatë 10 ditëve u intensifikua me vullnetin e të dy palëve, pati humbje në të dy anët dhe rreziqe të mëdha për vëzhguesit tanë. Populli sirian, civilët po vuajnë dhe në disa zona ata kanë mbetur të bllokuar si pasojë e operacioneve luftarake që nuk rreshtin”, shtoi Mood.

Mud foli për konkluzionet që vijnë jashtë Sirisë, se vendi po bie pre e luftës civile dhe nënvizoi se kriza është shumë herë më e komplikuar se të shihet nga ky dimension. Ai rikujtoi se mbi tryezë ekziston vetëm një plan, ai i të dërguarit të OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Anan, i cili rezulton i pazbatuar.

Top Channel