Siria, Moska: S’ka epokë post-Assad

15/06/2012 21:35

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka mohuar lajmet se ka diskutuar për situatën post-Assad në Siri, me Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera Perëndimore.

Një lajm i tillë ishte bërë publik mëngjesin e së premtes nga ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius.

Të paktën 23 civilë kanë mbetur të vrarë sot në Siri, nën bombardimet qeveritare apo nga ndërhyrjet e forcave të sigurisë, që kanë qëlluar për të shpërndarë manifestuesit anti-regjim.

Gjenerali izraelit: Rrëzimi i Al Assad, i pamundur

Ndërkohë, gjenerali izraelit Amos Ghilad ka deklaruar se rrëzimi i presidentit sirian Bashar al Assad nuk është i mundur.

Këshilltari politik i ministrit të Mbrojtjes ka thënë se, për besnikët e Assad, që janë rreth 2 milionë, ka vetëm dy rrugë: të vriten ose të vrasin. “Dhe ata preferojnë opsionin e dytë”, ka thënë ushtaraku.

Regjimi sirian mbështetet nga Rusia, Irani dhe lëvizja libaneze Hezbollah. Megjithatë, Assad po krijon gradualisht boshllëqe që favorizojnë infiltrimin e Al Kaedës.


HRW: Po dhunohen seksualisht fëmijë dhe gra

Ndërkohë, organizata që mbron të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, ka bërë publik një zbulim rrënqethës: Ushtarakë e militantë sirianë po dhunojnë fëmijë, gra dhe burra gjatë konfliktit.

Organizata bazohet tek disa dëshmitarë, të cilët i kanë treguar asaj se kanë pësuar dhunë seksuale si nga ushtarët e regjimit, ashtu edhe nga milicitë e armatosura.

Këta të fundit kanë abuzuar edhe me 12-vjeçare, si nëpër burgje ashtu edhe gjatë bastisjeve të shtëpive, kanë deklaruar drejtuesit e HRW.

Top Channel