OKB: Asnjë palë nuk do paqe në Siri

15/06/2012 15:25

Kreu i misionit vëzhgues të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Siri deklaroi se asnjëra prej palëve ndërluftuese nuk ka shfaqur vullnet real për të arritur një paqe të qëndrueshme që do t’i jepte fund vuajtjes mbi 1-vjeçare në vend.

Gjeneral-majori Robert Mood deklaroi se dhuna është rritur në dhjetë ditët e fundit, duke shkaktuar humbje të rënda tek të dy palët e duke vendosur monituruesit e paarmatosur të OKB-së në rrezik të madh.

Gjenerali norvegjez foli me shqetësim për një “përshkallëzim të situatës drejt një lufte të plotë ushtarake”.

Në një konferencë për shtyp nga Damasku, Mood theksoi: “Misioni moniturues nisi në 29 prill dhe që prej atëherë, shpresat për një përmirësim të situatës kanë rezultuar të kota. Dhuna në dhjetë ditët e fundit është intensifikuar, si pasojë e mungesës së vullnetit të secilës palë për të arritur në paqe. Popullsia siriane është duke vuajtur në masë të madhe nga pasuria e theksuar e rendit publik si dhe nga mungesa të të mirave esenciale, si rrjedhojë e këtyre përplasjeve”.

Njëkohësisht, të premten, burime të aktivistëve sirianë lajmëruan se trupat kryengritëse janë duke bombarduar pozicionet qeveritare në disa zona të ndryshme të vendit.

Ndërkohë, bilanci i viktimave, që deri më sot i ka kaluar 14 mijë viktima, vazhdon të rritet, me vrasje të reja të ndodhura në krahinën lindore të Deir al-Zour, të Alepos dhe në periferinë Damaskut.

Top Channel