
Presidenti amerikan, Barack Obama vazhdon lobimin për mbledhjen e fondeve për fushatën e tij elektorale për një tjetër mandat në krye të Shtëpisë së Bardhë.
“Në hierarkinë e Shtëpisë së Bardhë unë në jam i pesti ose i gjashti person më i rëndësishëm, pas Michelle, Malias, Sashas, qenit Bo dhe vjehrrës”. Kjo ishte batuta e presidentit amerikan gjatë një takimi me artistë e producentë të filmave e serialeve organizuar në shtëpinë e aktores së “Seksi dhe Qyteti”, (Sex and the City) Sarah Jessica Parker.
Në takimin që shërbeu për grumbullimin e fondeve, ndodhej edhe drejtoresha e revistës prestigjoze, “Vogue”, Anna Wintour.
Ylli i mbrëmjes, ishte Michelle e pritur përzemërsisht nga e zonja e shtëpisë, aktorja Jessica Parker.
“Është një kënaqësi e pamasë t’i urojmë mirëseardhjen Zonjës së Parë rrezatuese e të jashtëzakonshme. Është protagoniste e gjërave të jashtëzakonshme e të rëndësishme për shoqërinë amerikane në këto 3 vite. Personalisht, mezi pres të mësoj se cfarë do të ndërmarrë në katër vitet e ardhshme”, deklaroi aktorja e “Seksi dhe Qyteti”.
“Obamat” kanë nisur një fushatë të gjërë për sigurimin e mbështetjes së nevojshme financiare për t’iu përgjigjur burimeve të shumta të kandidatit republikan, Mitt Romney e për të siguruar një tjetër mandate në Shtëpinë e Bardhë.
Pak ditë më parë, familja presidenciale amerikane u ndal në vilën e aktorit George Clooney në Los Angeles në një event ku mundi të sigurojë plot 15 milionë dollarë.
Top Channel