Kancelarja gjermane Angela Merkel nuk jep dhe nuk ka ndërmend të japë asnjë udhëzim votimi për zgjedhjet e së dielës në Greqi.
Deklarata është bërë të premten në Berlin nga Steffen Seibert, zëdhënës i kancelares, gjatë konferencës së rregullt për shtyp.
Zëdhënësi ka hedhur poshtë kështu hamendësitë se Merkel mund të japë udhëzime në mënyrë që në zgjedhjet e 17 qershorit të dalë një fitues që të përkojë me qëndrimet e saj.
Merkel ka kërkuar vazhdimisht që qeveria greke të implementojë reformat për të nxjerrë vendin nga kriza, në këmbim të vazhdimit të ndihmave financiare.
Deklaratat e vazhdueshme të kancelares kanë acaruar popullin grek, të cilët janë rebeluar ndaj kushteve të vendosura nga Gjermania.
Pak ditë më parë ishte lideri i radikalëve të majtë, që sulmoi ashpër Bashkimin Europian, për faktin se Spanja është ndihmuar me 100 miliardë euro pa kushte, ndërsa Greqia jo.
Gjithashtu, më herët gjatë vitit Merkel u vu në shënjestër edhe nga gazetat greke, të cilat shpesh herë nxirrnin foto të montuara të kancelares me uniformë naziste.
Partitë në Greqi kanë zhvilluar të premten ditën e fundit të fushatës, përpara zgjedhjeve të ditës së dielë, që do të vendosin nëse vendi do të qëndrojë ose jo brenda Eurozonës.
Top Channel