Partitë në Greqi janë duke zhvilluar ditën e fundit të fushatës, përpara zgjedhjeve vendimtare parlamentare të ditës së dielë, që do të vendosin nëse vendi do të qëndrojë ose jo brenda Eurozonës.

Demokracia e Re, partia që fitoi zgjedhjet e muajit maj, por nuk arriti të formonte një qeveri, caktoi të premten mbajtjen e një manifestimi madhor ne Athinë, në kërkim të votës që sipas liderit të saj, Antonis Samaras, do të shmangte falimentimin e plotë të vendit, duke e mbajtur atë në përputhje me reformat e kërkuara nga BE.

Megjithatë, sipas sondazheve, duhet të ndodhë një e papritur e madhe që Demokracia e Re të ketë shansin të qeverisë vendin, pasi grupi radikal i majtë i “Syrizas” pritet të dalë fitues.

Lideri i kësaj partie, Alexis Tsipras, është kundër reformave shtrënguese që BE i ka vendosur Greqisë dhe sipas sondazheve jozyrtare, popullariteti i tij u forcua javën e shkuar nga marrja e një kredie prej 100 miliardë eurosh prej Spanjës, pa i vendosur kushte të ashpra, siç është bërë me vendin helen.

Sondazhet në Greqi mund të mbahen deri në dy javë përpara zgjedhjeve dhe më pas janë të ndaluara me ligj.

Megjithatë, ekspertët parashikojnë që së bashku me “Syriza”-n, pritet që të forcohet edhe ndikimi në parlament i partive që kundërshtojnë planet shtrënguese të BE-së, përfshi ekstremistët e majtë apo të djathtë, që do të sigurojnë vende të mjaftueshme për të pasur ndikim në politikat e ardhshme të vendit.

Aktualisht, Greqia përballet me një recesion të thellë ekonomik dhe një defiçit buxhetor prej rreth 160% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, rreth 520 miliardë euro në total.

“S’ka më kohë të arta për Agimin e Artë”

Analistët politikë në Greqi, organizata të ndryshme dhe sondazhet e fundit, vlerësojnë se ditët e arta për “Agimin e Artë”, partinë neonaziste greke, përfunduan.

Sipas tyre, ekstremistët e djathtë nuk do të mund të përsëritin të njëjtin sukses si ai i zgjedhjeve të muajit maj, ku mundën të siguronin 21 vende në parlamentin vendas. Dobësimi i “Chrisi Avgji” ka ardhur për shkak të gafave, sjelljes prepotente dhe arrogante të përfaqësuesve të lartë të kësaj partie gjatë kësaj periudhe, biografitë aspak të pastra të eksponentëve të saj dhe vecanërisht skandali i deputetit Ilias Kasidiaris, i cili gjatë një debati televiziv ka goditur me grushta një deputete të partisë komuniste.

Analistët thonë se neo-nazistët mundën të sigurojnë rezultatin surprizë në muajin maj për shkak të mllefit që votuesit grekë kishin mbledhur me klasën politike dhe vota për këtë forcë ishte më shumë një votë hakmarrëse për socialistët e PASOK dhe konservatorët e Demokracisë së Re.

Greqia u drejtohet zgjedhjeve këtë të dielë me shpresën së nga rezultati i tyre do të mund të dalë forca apo grupi i forcave politike të afta për të formuar një qeveri për të plotësuar vakuumin e mbetur që nga muaji maj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA