Një gjykatë në Bosnje e Hercegovinë ka dënuar të premten katër ish-ushtarakë të një njësie speciale serbe, për pjesëmarrje në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995.

Lajmin e bën të ditur BBC, sipas të cilës në seancë prokurorët kanë arritur të provojnë përgjegjësinë e ish-ushtarakëve për vrasjen e 800 personave, nga 8 mijë që u vranë gjithësej në masakrën e përgjakshme.

Të akuzuarit, Stanko Kojiç, Zoran Goronja, Vllastimir Golijan dhe slloveni Franc Kos janë dënuar për krime kundër njerëzimit, respektivisht me nga 43, 40, 40 dhe 19 vjet burg.

Ata janë shfajësuar nga trupi gjykues për akuzën e genocidit, pasi prokuroria nuk kishte paraqitur prova të mjaftueshme për të provuar të kundërtën.

Masakra e vitit 1995 në Srebrenicë, ku u vranë rreth 8 mijë burra e djem myslimanë, konsiderohet si një nga ngjarjet më të rënda në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Përgjegjësi kryesor për këtë ngjarje të rëndë konsiderohet gjenerali Ratko Mlladiç, proçesi ndaj të cilit në gjykatën e Hagës do të rifillojë më 25 qershor dhe gjatë tij do të dëshmojnë rreth 400 dëshmitarë.

Së fundmi ajo u kthye në qendër të vëmendjes, pasi presidenti i ri i Serbisë, Tomisllav Nikoliç deklaroi se, ngjarja e Srebrenicës nuk ishte genocid.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA