Shqipëria ka bllokuar deklaratën e përbashkët të samitit të ministrave të Jashtëm të shteteve të Evropës Juglindore, për shkak se ka kërkuar që në këtë nismë të përfshihet edhe Kosova.

Një gjë të tillë e kanë refuzuar serbët duke thënë se kjo nismë ka të bëjë me shtetet që janë të njohura nga Kombet e Bashkuara dhe samiti ka përfunduar pa një deklaratë, ndonëse një e tillë është shkruar.

Zëvendësministri shqiptar, Selim Belortaja ka thënë se drafti i deklaratës nuk është mjaft konstruktiv. Ai ka theksuar se ka udhëtuar me dëshirë të mirë drejt Beogradit, por Shqipëria nuk mund të mbështesë deklaratën pasi në të duhet të përmendet rëndësia e marrëveshjes në mes të Beogradit dhe Prishtinës dhe zbatimi i tyre i plotë.

“Kosovës do të duhej t’i mundësohet të bëhet anëtare e barabartë në proçesin e bashkëpunimit në Evropën Juglindore, sepse kjo do të ishte kontribut për pajtim dhe shtimin e besimit në rajon. Besoj se të dyja palët në dialog do të gjejnë një formulë për pjesëmarrjen e Kosovës në nisma rajonale”, ka thënë ndër të tjera Belortaja.

Për këtë gjë ka reaguar edhe presidenti serb, Tomisllav Nikoliç, pasi nuk ka arritur që samiti të ketë një mbyllje të mirë.

“Bëhet fjalë për hapjen e një kapitulli të ri në këtë organizatë, përkatësisht përfaqësimit të administratës së Prishtinës në këtë samit në mënyrën që për Serbinë nuk është e pranueshme dhe nuk është rënë dakord deri më tani”, ka thënë Nikoliç.

Nisma për Bashkëpunimin Rajonal është forum rajonal që mbledh rreth saj shumicën e shteteve të Evropës Juglindore dhe mbahet çdo vit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA