Suu Kyi nis turin në Evropë

14/06/2012 08:20

Liderja pro-demokratike e Birmanisë, Aung San Suu Kyi ka mbërritur në Gjenevë, ku do të mbajë një fjalim në selinë e Kombeve të Bashkuara në fillim të turit të saj në Evropë.

Ajo do ta mbajë fjalimin e saj në Organizatën Ndërkombëtare të Punës, që ka drejtuar një fushatë të gjatë kundër fëmijëve dhe njerëzve të kthyer në skllevër.

Aung San Suu Kyi ka kaluar shumicën e 24 viteve të fundit në arrest shtëpie në Birmani. Vizita e saj, e para në Evropë që prej vitit 1988, shihet si një gur themeli për progresin politik të vendit.

Gjatë turit që do të zgjasë dy javë, ajo do të vizitojë Britaninë e Madhe, Zvicrën, Irlandën, Francën dhe Norvegjinë, ku dhe do të pranojë çmimin Nobël për Paqen që i është dhënë në vitin 1991.

Korrespondentët e mediave të huaja thonë se Suu Kyi do ta mbajë fjalimin e saj në ONP, si shenjë mirënjohjeje për angazhimin e vazhdueshëm të organizatës për të drejtat e njeriut në kohën që Birmania qeverisej nga junta ushtarake.

Ky është udhëtimi i dytë i Suu Kyi jashtë vendit të saj, pas vizitës në Tajlandë që kreu në maj. Kur po nisej nga Mianmari, ajo u tha gazetarët se priste që ky udhëtim t’i hapte sytë.

“Çdo vend do të jetë ndryshe. Vetëm kur arrij në vendet e tjera e kuptoj se sa e prapambetur është Birmania”, ka thënë Suu Kyi.

Top Channel