Presidentja e Kosovës, Atifete Jahaga, gjatë një vizite në Ajoua të
Shteteve të Bashkuara, ka konfirmuar me autoritetet lokale bashkëpunimin
e ngushtë mes dy shteteve.

Sipas një komunikate për shtyp të presidencës kosovare, zonja Jahjaga është takuar me kryebashkiaken e qytetit Xhonston, si dhe me komandantin e Gardës Kombëtare, gjeneralin Timothy Orr.

Oficeri i lartë ushtarak ka vlerësuar se Kosova dhe shteti i Ajouas kanë një partneritet të fuqishëm që zgjat prej disa vitesh, njofton komunikata.

Kjo, pasi Garda Kombëtare amerikane ndihmon prej kohësh Forcën e Sigurisë së Kosovës për të arritur kapacitetet e saj operacionale, ndihmë kjo që sipas gjeneralit Orr do të vijojë.

“Marrëdhëniet me Kosovën janë të shkëlqyera dhe është me rëndësi që ky partneritet të vazhdojë”, ka deklaruar Orr gjatë takimit të zhvilluar në bazën Dodge.

Ndërsa kryebashkiakja Paula Deirenfeld ka vlerësuar vizitën e presidentes kosovare në bazën e gardës, e para e një kryetari shteti nga Evropa.

“Është hera e parë që presidenti i një vendi të jashtëm viziton bazën tonë, gjë që tregon lidhjen e fuqishme mes Gardës Kombëtare dhe shtetit të Kosovës”, ka thënë Deirenfeld.

Nga ana e saj, zonja Jahjaga ka vlerësuar ndihmën e vazhdueshme që garda amerikane po i jep FSK-së dhe ka dhënë garancinë e saj për thellimin e këtij bashkëpunimi.

Top Channel