
Komisioni Europian i dorëzoi autoriteteve kosovare udhërrëfyesin me 95 detyra, përmbushja e të cilave do t’u mundësojë në të ardhmen qytetarëve të vetëm të izoluar të Ballkanit që të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen.
Cecilia Malmström, Komisionere për çështjet e Brendshme në BE:
“Nisja e dialogut për vizat mori pak më shumë kohë për Kosovën, por Komisioni Europian shpreson se nga ky çast do të veprohet në mënyrë të qëndrueshme që qytetarët e Kosovës të mund të jenë në gjëndje të udhëtojnë lirshëm pa viza në Bashkimin Europian.
Cecilia Malmström: Aty ka goxha punë që duhet bërë. Shpejtësia e këtij proçesi varet nga autoritetet e Kosovës dhe puna e tyre. Udhërrëfyesi është një listë e plotë e reformave që duhen bërë, ri-atdhesimi dhe ri-integrimi i personave, siguria e dokumenteve, kufirit dhe në menaxhimin e migracionit, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe të drejtave themelore”.
Vlora Çitaku, Ministre e Integrimit Europian, Kosovë tha:
“Të gjitha institucionet kosovare angazhohen për të punuar fort në mënyrë që te bëjnë të mundur për qytetarët udhëtimin pa viza në Bashkimin Europian. Nuk do të japë asnjë datë apo afat kohor, por premtoj se qeveria do të punojë fort për të dhënë argumentat dhe bindjen se puna është kryer”.
Megjithëse Komisioni pretendon se ky është i njëjti proçes, Kosova përballet me 2-fishin e kritereve që BE pati përcaktuar për liberalizimin e vizave me vendet e tjera të rajonit, e Shqipërisë i mori 2 vjet e gjysëm për të përmbushur detyrat e udhëzuesit për vizat.
Fajon: Kjo është një ditë e madhe për Kosovën
Eurodeputetja sllovene Tanja Fajon reagoi menjëherë pas dorëzimit të udhërrëfyesit për vizat ndaj Kosovës. “Kjo dëshmon se vendi është tashmë në rrugën e duhur, por ky është vetëm hapi i parë i një rruge të gjatë e të vështirë, e cila do të kërkojë shumë përpjekje të përbashkëta dhe angazhime për të përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme,” shprehet Fajon përmes një komunikate për shtyp.
Raportuesja për liberalizimin e vizave me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit siguron më tej autoritetet kosovare për vëmëndjën dhe mbështetjen e Parlamentit Europian gjatë proçesit sfidues për zbatimin e kushteve të kërkuara.
“Uroj të shoh rrëzimin e fundit të murit të vizave me Ballkanin sa më shpejtë. Vetëm atëherë ne do të mund të përmbushim synimin tonë të përbashkët për të sjellë gjithë rajonin më pranë BEsë, për këtë brez e gjeneratat e ardhshme” nënvizon ndër të tjera Fajon.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel