Sipas faqes zyrtare të internetit të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, janë gjithsej 91 shtete që e njohin Republikën e Kosovës.

Por, sipas ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, që ka konfirmuar për gazetën “Koha Ditore” se letra që kryetari i Ugandës i ka dorëzuar zëvëndëskryeministrit Pacolli nuk përbën njohje, e po ashtu se nuk ka parë notë diplomatike as nga Nigeria, numri i shteteve që e kanë njohur Kosovën nuk është 91 por 89.

Zëvëndësministri i Jashtëm, Ibrahim Gashi nuk ka dashur të flasë për këtë temë. Pas promovimit të librit të tij “Kosova, rruga tek Pavarësia”, ai ka thënë para gazetarëve se është zëvëndëskreyministri apo ministri i Jashtëm që mund të flasin për këtë çështje.

Të kontaktuar nga Top Channel zyrtarë të Ministrisë së Jashtme nuk kanë folur zyrtarisht, ndërsa jo zyrtarisht kanë thënë se janë 89 njohje, ndërsa me kërkesë të zotit Pacolli janë vendosur në listën e shteteve edhe Uganda dhe Nigeria.

Po ashtu, as në kabinetin e zëvëndëskryeministrit Behgjet Pacolli, të cilët më parë patën thënë se këto dy shtete, Uganda dhe Nigeria, e kanë njohur Kosovën, nuk kanë dashur të flasin.

Në anën tjetër, analisti politik Halil Matoshi ka thënë për Top Channel se Uganda dhe Nigeria ndonëse nuk kanë dorëzuar notë verbale, e kanë njohur faktikisht Kosovën.

“Ajo që qëndron është se Kosovën e kanë njohur de jure 89 shtete të OKB-së. Pra, pa Ugandën dhe Nigerinë. Ndërkaq, Uganda dhe Nigeria janë njohje faktike por që nuk e kanë shpallur ose nuk kanë dërguar notë verbale dhe kjo llogaritet në marrëdheniet ndërkombëtare si “njohje në heshtje” e një shteti. Është e saktë që amerikanët janë shumë më të disiplinuar në qasje, në dokumete ose në letra, kërkojnë që gjithçka të jetë e vërtetuar me notë verbale”, deklaron Matoshi.

Sipas Matoshit, kjo çështje duhet të qartësohet nga ana e Ministrisë së Jashtme dhe zotit Pacolli. Sidoqoftë, deri në një sqarim, sipas faqes zyrtare të Ministrisë së Jashtme, Republika Federale e Nigerisë është shteti i 82-të që e ka njohur Kosovën, ndërsa Republika e Ugandës është shteti i 88 në listën e njohjeve.

Top Channel