Frika e një lufte civile me sfond fetar në Irak është bërë më e pranishme se kurrë, pas sulmeve të vazhdueshme vetvrasëse që kanë pushtuar vendin.
Më parë gjatë javës, shpërthimi i një autobombe në një zonë të populluar të kryeqytetit Bagdad shënoi ditën më të përgjakshme që prej largimit të trupave amerikane nga vendi në dhjetor, pasi 93 persona humbën jetën dhe 312 të tjerë u plagosën nga shpërthimi.
Sulmet kishin vendosur në shënjestër një zonë të banuar nga shiitët, që përbëjnë rreth 60% të popullsisë së vendit, vazhdimisht në konflikt me radikalët sunitë.
”Jam thellësisht i tronditur dhe i zhgënjyer nga këto sulme të përbuzsshme që kanë ndodhur në Irak dhe që i morën jetën aq shumë irakenëve”, deklaroi Martin Kobler, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Irakun.
”Shkalla e dhunës është shqetësuese. i bëj thirrje menjëherë qeverisë që të përqendrohet në zanafillën e arsyeve të dhunës dhe terrorizmit, që po krijon kaq shumë vuajtje dhe dhembje për të gjithë banorët irakenë”.
Në vijim të sulmeve, kryeministri Nuri al-Maliki vizitoi ambasadën amerikane në Bagdad, por është e paqartë se për çfarë u bisedua.
Ndonëse një regjim brutal, ai i Saddam Hussein arriti që pothuajse të zhdukte luftën ndërfetare në vend, por që prej largimit të amerikanëve, tre palë ndërluftuese, sunitët, shiitët dhe kurdët kanë rinisur të përleshen për idealet e tyre, duke rrezikuar një luftë civile dhe deri ndarjen e vendit.
Një grupim radikal sunit, satelit i Al-Kaedës në Irak, mori përsipër përgjegjësinë për sulmet e ndodhura më parë gjatë javës.
Top Channel