Ministri Gjerman i Financave, Wolfgang Schauble, deklaroi se grekët e zakonshëm nuk mund t’i shmangen shkurtimeve të dhimbshme dhe do të jenë të detyruar t’i pranojnë ato, pavarësisht se si do të votojnë në zgjedhjet e fundjavës.
Në një intervistë për revistën “Stern”, Schauble deklaroi se “ndonëse ndiej një keqardhje të thellë për njerëzit e varfër në Greqi, nuk mund t’i kursej atyre një tjetër shkurtim të pagave dhe asistencës”.
Gjermania, vendi me ekonominë e katërt më të madhe në botë dhe e para në Europë, ka kundërshtuar ashpër lehtësimin e masave shtrënguese ndaj vendit helen.
Sipas sondazheve paraprake, në zgjedhjet e përgjithshme greke do të fitojnë partitë që e kundërshtojnë zbatimin e planit të shtrëngimeve, por Schauble theksoi se “grekët nuk duhet të gënjehen nga populizmi dhe duhet të kenë të qartë që pavarësisht se për kë votojnë, përsëri do të vazhdojnë të vuajnë në vitet e ardhshme nga defiçiti i skajshëm buxhetor i shtetit të tyre.
Në vend, lideri i Demokracisë së Re, Antonis Samaras, edhe një herë i bëri thirrje të enjte votuesve që të mos zgjedhin ekstremin dhe partitë që kundërshtojnë paketën e BE-së për shpëtimin e vendit.
Demokracia e Re doli fituese në zgjedhjet e mëparshme të majit, por nuk arriti të formonte një qeveri dhe zgjedhje të reja u deklaruan.
Tashmë, socialistët radikalë të “Syriza”-s pritet që të shpallen fitues, ndërsa partitë e ekstremit të majtë dhe të djathtë duhet të regjistrojnë gjithashtu rritje.
Top Channel