Britani, Assange i mohohet apeli

14/06/2012 16:20

Gjykata e Lartë në Britaninë e Madhe hodhi poshtë një kërkesë të themeluesit të “Wikileaks”, Julian Assange, për të ritrajtuar çështjen e ekstradimit të tij në Suedi, ku mbi të rëndon akuza e përdhunimit dhe abuzimit seksual mbi dy vajza të ndryshme.

Dy javë më parë, e njëjta gjykatë hodhi poshtë argumentat e avokatëve të Assange se një mandat arresti europian nuk ishte i vlefshëm në Britani.

Avokatët e Assange kërkuan një rishqyrtim të çështjes, por pa ofruar prova të reja në favor të argumentit të tyre, prandaj gjykata vendosi që të mos t’i japë të drejtën e një procesi të ri.

Më parë, ekstradimi i Assange në Suedi është kundërshtuar, pasi është konsideruar si një hap fillestar drejt dërgimit në SHBA, ku mund të ngarkohet me akuza spiunazhi, që mund ta përballin me mundësinë e dënimit me vdekje.

Si themelues i “Wikileaks”, një uebsajt që grumbulloi dhe publikoi qindra mijëra dokumenta sekretë të administratës amerikane, Assange fitoi famë ndërkombëtare, por ai ndiqet prej më shumë se dy vitesh nga drejtësia suedeze, pas padisë së ngritur ndaj tij nga dy vajza.

Mënyra se si australiani 39-vjeçar arriti të përvetësonte një sasi të tillë informacioni të fshehtë nuk është bërë kurrë e qartë.

Aktualisht, Assange vazhdon të banojë në shtëpinë e tij në Londër, në pritje të ekstradimit në Suedi.

Top Channel