Shefi i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borko Stefanoviç duket se është dorëzuar para realitetit të ri të krijuar në Kosovë, pasi ka deklaruar se, kthimi si në vitet ’90 është i pamundur.

Në një intervistë për “REL”, Stefanoviç ka thënë se tashmë autoritetet dhe institucionet e Prishtinës kanë marrë në dorë të gjitha kompetencat për të funksionuar si një shtet.

“Ata që mendojnë se bisedimet janë një proçes përmes të cilit ne mund të arrijmë ato zgjidhje që kemi pasur deri në vitin 1999, janë më të mashtruar se kurrë”, ka deklaruar Stefanoviç.

“Kjo, për shkak se UNMIK-u i ka kaluar të gjitha kompetencat tek autoritetet kosovare në kohën e qeverisë së Vojisllav Koshtunicës, gjatë të cilës Kosova ka shpallur pavarësinë”, ka vijuar ai.

Sipas Stefanoviç, ky është një realitet, të cilin pala serbe e gjeti që kur nisi bisedimet e reja me Prishtinën, e cila prej kohësh i kishte marrë në duart e saj kompetencat.

“Dua t’u shpjegoj diçka serbëve, është Prishtina ajo që për fat të keq ka të drejtë të sekuestrojë targat, të arrestojë njerëzit, të vendosë doganat dhe gjykatat e saj”, ka nënvizuar Stefanoviç.

Për këtë situatë, ai ka fajësuar ish-qeverinë e kryeministrit Vojisllav Koshtunica, e cila me politikat e saj të gabuara ka refuzuar çdo lloj bisedimesh.

“Më vjen keq që në Kosovë ka ende disa serbë që mendojnë se është e mundur që gjithçka të kthehet si në vitin 1996 apo 1997”, ka shtuar Stefanoviç.

Top Channel