SHBA, vdes ish-gangsteri i Nju Jorkut

13/06/2012 18:40

Ka vdekur në moshën 69-vjeçare ish-bosi i krimit të organizuar në Nju Jork, Henry Hill, që në fund të karrierës kriminale u kthye në informator për FBI-në.

“Ishte i sëmurë prej kohësh, zemra e tij nuk mbajti më”, deklaroi shoqja dhe këshilltarja e tij, Lisa Schinelli Casterta për mediat amerikane.

Emri i Hill u bë i famshëm pasi frymëzoi filmin e vitit 1990 të Martin Scorsese, “Godfellas”, ku ai interpretohet nga aktori Ray Liota, përkrah Robert de Niro e Joe Pesci, që luajnë figura të tjera reale të botës së atëhershme të krimit. 

Hill jetoi në botën e mafias për 20 vjet, në radhët e familjes Lucchese. Mes shumë veprave kriminale të tij spikat vjedhja historike e 5 milionë dollarëve në aeroportin “JFK”.

Në vitin 1980 ai u arrestua për trafik droge dhe për të shmangur burgun ra dakord me autoritetet amerikane për të dëshmuar kundër ish-shefave të familjes së tij.

Ai hyri në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve, por u përjashtua në vitet e para ’90, pasi kreu një sërë krimesh të lidhura me drogën.

Në vitet e fundit Hill jetonte në Los Anxheles, ku u bë një mysafir i zakonshëm i një shfaqeje televizive, ku tregonte për salcën e tij për makarona dhe madje hapi një restorant me emrin “Wiseguys”.

Top Channel