SHBA pushtohet nga zjarret masive

13/06/2012 15:40

Me qindra makina zjarrëfikëse, të ndihmuar nga helikopterë dhe aeroplanë ujëlëshues janë duke luftuar dy prej vetrave më të mëdha të zjarrit të regjistruara ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas mediave amerikane, me dhjetëra hektarë zonë pyjore në shtetet e Kolorados dhe Meksikos së Re janë përfshirë nga gjuhët e flakëve që zgjaten në disa kilometra dhe favorizohen nga temperaturat e nxehta të kësaj stine.

Zjarri në Kolorado është edhe më problematiku, pasi ai ndodhet vetëm 100 kilometra nga kryeqyteti Denver dhe është pranë disa zonave të tjera të banuara.

Mediat kanë transmetuar gjatë të mërkurës imazhe të shtëllungave të zeza të zjarrit që ngrihen për disa dhjetëra metra mbi nivelin e pyllit. Një grua raportohet e vdekur, e mbetur në zjarrin që ka përfshirë pothuajse 100 kilometra katrorë në Kolorado.

Për dy shtetas të tjerë nuk dihet fati i tyre, pasi forcat e shpëtimit nuk kanë mundur të vendosen në kontakt me ta, që prej marrjes së telefonatave në të cilat kërkonin ndihmë.

Zjarre më të vegjël janë regjistruar edhe në nëntë shtete të tjera perëndimore, të njohura për thatësirën e kësaj stine, si Jutah, Kalifornia dhe Arizona.

Nga ana e tij, presidenti Barack Obama ka telefonuar guvernatorët e dy shteteve më të prekura, duke iu ofruar ndihmë nga forcat federale.

Aktualisht, zjarret nuk janë vendosur ende nën kontroll. Sipas vlerësimeve paraprake, dëmi ekonomik ka shkuar në qindra miliona dollarë.

Top Channel