Itali, operacion kundër anarkistëve

13/06/2012 19:15

Një seri arrestimesh janë kryer në rajone të ndryshme të Italisë, nga agjentë të njësive operacionale, ndaj anëtarëve të fraksioneve anarkiste.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave operacioni vuri në pranga 10 persona të akuzuar për pjesëmarrje në organizata terroriste dhe anarkiste.

“Ky operacion është një përgjigje jashtëzakonisht e kualifikuar e shtetit kundër një anarikie që rebelohet”, deklaroi gjenerali i karabinierëve, Giampaolo Ganzer.

Ndërsa ministrja italiane e Brendshme, Annamaria Cancellieri është shprehur se, bëhet fjalë për një operacion shumë domethënës.

“Kam uruar komandantin e Armatës së Karabinierëve për punën që kanë kryer, vlera e së cilës është e paçmuar”, ka thënë ministrja.

Arrestimet janë kryer në kuadër të hetimeve të zhvilluara në lidhje me disa akte anarkiste të kryera në vitin 2009 ndaj disa bankave dhe ambasadës greke në Paris në vitin 2011.

Burimet mediatike shtojnë më tej se personat e arrestuar u përkasin fraksioneve Federata Anarkiste Informale dhe Fronti Revolucionar Ndërkombëtar.

Struktura policore që kreu blicin, ROS (Ragruppamento Operativo Speciale), është një njësi e specializuar për hetimin e krimeve serioze dhe trafiqeve ilegale.

Top Channel