Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se ka fare pak gjasa që të fillojë raundi i ri i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kjo, pasi sipas tij, Serbia nuk ka implementuar marrëveshjet e arritura më parë me Kosovën, në proçesin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Është pothuajse e pamundur që të vazhdojnë bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, pa u zbatuar marrëveshjet kyçe të arritura më herët”, ka thënë Hoxhaj për të përjavshmen “European Voice”.

Shefi i diplomacisë kosovare ka vlerësuar se marrëveshjet e mëhershme Serbia i nënshkroi për të fituar pikë tek Bashkimi Evropian, që në këmbim i ofroi statusin e kandidatit.

“Por, pa zbatimin e atyre marrëveshjeve nuk besoj se do të arrihet tek raundi i ri i bisedimeve në Bruksel”, ka nënvizuar më teh zoti Hoxhaj.

Ai i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ushtrojë presion ndaj Serbisë që kjo e fundit të largojë strukturat paralele nga veriu i Kosovës.

Ndërsa përsa i përket presidentit të ri të Serbisë, Tomisllav Nikoliç, Hoxhaj ka theksuar se Prishtina do ta gjykojë atë në bazë të veprave dhe jo të fjalëve.

Edhe zyrtarë të tjerë të lartë kosovarë kanë thënë më herët gjatë vitit se rifillimi i bisedimeve me Serbinë është i pamundur për sa kohë Beogradi ndryshe paraqitet në Bruksel dhe ndryshe në Ballkan. 

Top Channel