
Lideri i radikalëve të majtë grekë, që shpreson fitoren e zgjedhjeve, ka sulmuar ashpër Bashkimin Europian. Ai ka theksuar faktin se, Spanja është ndihmuar me 100 miliardë euro pa kushte, ndërsa Greqia jo.
Tsipras thotë se data 17 qershor është fundi kushteve që i janë vendosur Greqisë dhe se me ta në qeverisje do ketë një program për pagat, pensionet, jo shkurtime nga puna dhe bashkim familjar për emigrantët e ligjshëm.
Greqia vazhdon rënien e lirë në humnerën e krizës ekonomike, që po shton gjasat mbi mundësinë e daljes së vendit nga euro dhe kthimin tek dhrahmia.
Këto dyshime kanë bërë që qytetarët grekë të transferojnë llogaritë e tyre nga bankat vendase në ato jashtë për të mos pësuar zhvlerësimin e pasurive të tyre.
Në ditët e fundit është vënë re se një numër i madh klientësh kanë filluar të boshatisin llogaritë relativisht të mëdha, duke tërhequr secili çdo ditë shuma nga 80 deri ne 100 mijë euro në kesh, ndërsa vlerësohet se kërkesat për tërheqje do të shtohen në javët e ardhshme.
Sipas burimeve të pakonfirmuara bankare, në ditët e fundit kanë fluturuar nga bankat greke mbi 7 miliardë euro, duke e çuar shumën e përgjithshme të parave të tërhequra prej tyre brenda dy vitesh në 80 miliardë euro.
Ndërkohë, edhe papunësia në Greqi po shënon nivele të tjera rekordi. Instituti Grek i Statistikave, ELSTAT, publikoi më herët gjatë muajit të dhënat për papunësinë në muajin mars, sipas të cilave 21.9 për qind e grekëve të aftë për punë gëzojnë statusin e të papunit.
Top Channel