Bashkimi Evropian do t’i japë mesazhe të qarta presidentit të ri serb, Tomisllav Nikoliç, gjatë vizitës që ai do të zhvillojë ditën e enjte në Bruksel.

Deklarata është bërë nga Maja Koçijançiç, zëdhënëse e shefes së Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton.

“Presim që Serbia të vazhdojë reformat e nevojshme dhe të bëjë hapat e duhur për vazhdimin e negociatave me BE-në. Nga zyra e përfaqësueses së lartë, Catherine Ashton, do të kërkohet që të vazhdojë dialogu me Prishtinën”, ka thënë Koçijançiç, sipas “RTK”.

Më herët gjatë muajit ishte komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle i cili deklaroi në Beograd se, BE pret nga Serbia që të bëjë një progres të qëndrueshëm në marrëdhëniet me Kosovën.

Fyle u tregua i qartë pas takimit me presidentin Nikoliç, kur theksoi se në mes të kushteve për Serbinë ndodhet edhe ai për institucionet paralele në veriun e Kosovës.

“Meqë Serbia është kandidate për në BE duhet të jemi transparentë dhe të themi kërkesat tona në mënyrë të qartë. Këshilli i Evropës ka dhënë pesë pikat konkrete në të cilat Serbia duhet të jetë e fokusuar dhe kjo nuk mund të ketë interpretim tjetër”, u shpreh Fyle.

Ai nënvizoi se pret nga Serbia vazhdimin e proçesit të reformave, kryesisht atë në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe zhvillimin e institucionit të Avokatit të Popullit.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta